Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka publikuar në Facebook pamje nga gjendja e infrastrukturës në zonën e Matit, duke denoncuar izolimin e banorëve të lagjes “Meta” në Xibër pas prurjeve të Zallit të Xibrit.
Në videon e publikuar, ajo ironizon urën e improvizuar që banorët detyrohen të përdorin për të kaluar, ndërsa e cilëson atë si një tjetër dëshmi të dështimit të investimeve infrastrukturore.
“Propagandë me kilometra, rrugë me afat deri te shiu i parë”, shkruan deputetja demokrate, duke kërkuar investime reale në ura dhe rrugë për banorët e zonës.
Postimi i plotë:
FYTYRA E RILINDJES!
Në lagjen “Meta” të Xibrit, banorët kanë mbetur të izoluar nga prurjet e Zallit të Xibrit. Shikojeni pak “urën” që u është lënë për të kaluar! Mrekulli infrastrukturore!
Ndërkohë, rruga që lidh fshatrat Ceruj, Patin dhe Pleshë, e ndërtuar para pak kohësh, rrezikon të shembet plotësisht!
Njëra rrugë mungon, tjetra po ikën bashkë me dheun!
Propagandë me kilometra, rrugë me afat deri te shiu i parë!
Banorët kërkojnë ura dhe rrugë, jo rekorde imagjinare investimesh!
© SYRI.net