Diplomati Agim Nesho ka bërë një analizë të mënyrës se si Edi Rama ka ushtruar kontrollin mbi Partinë Socialiste, duke e përshkruar atë si një strukturë të ndërtuar rreth interesave dhe ambicies për pushtet të kryeministrit.
Gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Nesho u kthye te viti 2012, kur sipas tij Rama nisi të ndryshonte përbërjen e PS-së, duke larguar figurat që mund të kundërshtonin drejtimin e tij dhe duke u dhënë hapësirë njerëzve të besuar.
Sipas diplomatit, kryeministri nuk e ka parë asnjëherë partinë si një strukturë ku bashkëjetojnë mendime dhe figura të ndryshme politike, por si një instrument për të garantuar pushtetin e vet. Në këtë proces, ai përmendi afrimin e bashkëpunëtorëve nga Bashkia e Tiranës dhe anëtarëve të G99-së, të cilët, sipas tij, u përfshinë në PS për të krijuar një rreth besnikësh.
Duke komentuar zhvillimet e fundit dhe përplasjet mes figurave socialiste, Nesho u shpreh se Rama po përpiqet të disiplinojë edhe njerëzit që kanë qenë pjesë e të njëjtit grup politik me të. Ai vlerësoi se këto përplasje nuk burojnë nga dallime ideologjike, por nga përpjekja për të ruajtur pozitat dhe ndikimin brenda pushtetit.
Një vëmendje të veçantë diplomati i kushtoi edhe Belinda Ballukut. Ai ngriti dyshime se kjo e fundit mund të disponojë informacione komprometuese për kryeministrin, duke përmendur mundësinë e një dosjeje apo përgjimi që, sipas tij, mund të ketë lidhje me krimin e organizuar. Këto pretendime i lidhi edhe me qëndrimin që Rama ka mbajtur në raport me zhvillimet institucionale që lidhen me Ballukun.
Nesho komentoi edhe rastin e Erion Veliajt, duke kundërshtuar përpjekjet e tij për t’u paraqitur si i dënuar politik. Sipas diplomatit, ish-kryebashkiaku duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij gjatë kohës në detyrë, ndërsa e cilësoi atë si pjesë të të njëjtit rreth pushteti me Ramën.
Në përfundim, Nesho e krahasoi mënyrën se si kryeministri po trajton figurat që dikur i qëndronin pranë me sjelljen e perandorëve romakë, të cilët, sipas tij, nxirrnin kundërshtarët në arenë për të kënaqur turmën.
“Unë mendoj se vetë Rama po i godet këto figura, duke luajtur rolin e atyre perandorëve romakë që u hidhnin kufomat në arenë për të kënaqur njerëzit”, u shpreh diplomati Agim Nesho.













