Reshjet e para të dëborës kanë nisur në Qafë-Thore, në aksin që lidh Thethin me rrugët kombëtare, duke vënë në gatishmëri skuadrat e mirëmbajtjes për të garantuar qarkullimin e automjeteve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, reshjet kanë intensitet të ulët, ndërsa në rrugë është krijuar një shtresë e vogël dëbore. Mjetet borëpastruese kanë nisur punën për largimin e saj dhe përmirësimin e kushteve të lëvizjes.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se me uljen e temperaturave kanë nisur edhe reshjet e para të borës.
“Skuadrat e mirëmbajtjes së rrugëve janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës”, deklaroi ai.
Qafë-Thorja është një aks i rëndësishëm për zonën turistike të Thethit, ndaj ndërhyrja e shërbimeve të mirëmbajtjes synon të mbajë rrugën të kalueshme dhe të sigurojë lëvizjen e drejtuesve të automjeteve.

