Radoiçiq dhe Veselinoviq dyshohet se kanë udhëtuar së bashku drejt Kirgistanit
Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq dyshohet se kanë udhëtuar së bashku drejt Kirgistanit, sipas informacioneve të mediumit serb Nova.rs, nga një burim i njohur me lëvizjet e tyre.
Lëvizja e tyre e dyshuar vjen në kohën kur ndaj Radoiçiqit është lëshuar fletarrestim nga Gjykata e Lartë në Beograd, pasi ai nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor, siç ishte obliguar nga masa e caktuar gjyqësore.
Gjykata, më 17 nëntor, i caktoi atij paraburgim dhe urdhëroi lëshimin e fletarrestimit, me arsyetimin se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ai po fshihet, përkatësisht se është në arrati.
Radoiçiq, që nga tetori i vitit 2023, kishte masën e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, pas sulmit në Banjskë. Atij i ishte konfiskuar pasaporta, i ishte ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës dhe ishte obliguar të paraqitej në polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Sipas të dhënave të Policisë së Savski Venacit, të dërguara në gjykatë, Radoiçiq ishte paraqitur për herë të fundit më 1 nëntor.
Disa ditë para lëshimit të fletarrestimit, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, kishte deklaruar për N1 se, sipas informacioneve jozyrtare nga strukturat e sigurisë, Radoiçiq kishte lënë Serbinë dhe ishte nisur drejt Moskës.
Ndërkaq, Veselinoviq, sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë, më 11 nëntor kishte udhëtuar nga Sarajeva drejt Stambollit me fluturim të rregullt. Burime të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë kishin konfirmuar se ai kishte përdorur pasaportë serbe dhe se me të ishte edhe vëllai i tij, Zarko Veselinoviq.
Arsyeja e largimit të Veselinoviqit nga Bosnjë e Hercegovina nuk ishte bërë e ditur.
Radoiçiq dhe Veselinoviq prej vitesh janë bashkëpunëtorë të afërt në biznes, ndërsa emrat e tyre janë lidhur publikisht edhe me kontrata që kompanitë e tyre kanë përfituar nga shteti.
Në fund të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit u vendosi sanksione të dyve, nën akuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Në arsyetimin e sanksioneve, Veselinoviq ishte cilësuar si udhëheqës i një grupi të krimit të organizuar, ndërsa Radoiçiq si zëvendësi i tij.















