Honda tërheq mbi 810 mijë automjete nga tregu, rrezik për shpërthimin e airbag-ëve

Botë | 1 minutë më parë

Prodhuesi japonez i automjeteve Honda ka njoftuar tërheqjen nga tregu të më shumë se 810 mijë automjeteve, për shkak të një defekti në sistemin e airbag-ëve, i cili mund të shkaktojë shpërthimin e tyre dhe të rrezikojë jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve.

Sipas Administratës Kombëtare të Sigurisë në Trafikun Rrugor në SHBA (NHTSA), tërheqja përfshin gjithsej 810,592 automjete, mes tyre Honda Civic dhe CR-V të viteve 2012–2013, Honda Accord 2013, si dhe modelet Acura ILX dhe RDX të vitit 2013.

Problemi lidhet me fryrësit e airbag-ëve të prodhuar nga kompania Takata. Sipas autoriteteve, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj lagështirës së lartë dhe ndryshimeve të temperaturës mund të shkaktojë degradimin e materialit shtytës, duke rritur rrezikun e shpërthimit të mekanizmit.

Në rast shpërthimi, pjesë të mprehta metalike mund të depërtojnë në kabinën e automjetit dhe të godasin drejtuesin ose pasagjerët, duke shkaktuar plagosje të rënda apo edhe humbje jete.

Honda ka bërë të ditur se zëvendësimi i fryrësve të airbag-ëve në anën e shoferit ose pasagjerit do të kryhet pa pagesë në serviset e autorizuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme