Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme në disa zona të Tropojës, ku rrëshqitjet e dherave dhe rënia e gurëve kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore. Stuhia ka dëmtuar edhe banesa, kryesisht në çatitë e tyre.
Sipas të dhënave të përcjella nga Prefektura e Kukësit, një nga zonat e prekura është Njësia Administrative Cërrnicë, ku rrëshqitja e dheut në segmentin rrugor poshtë fshatit ka dëmtuar trupin e rrugës dhe ka shkaktuar deformime të shtratit të saj.
Probleme janë raportuar edhe në aksin Bujan–Fierzë, veçanërisht në fshatin Gri, ku rënia e gurëve dhe materialeve inerte ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve. Dëmtime të tjera janë evidentuar në lagjet Vidricë dhe Varg, si dhe në fshatin Tetaj, ku rrëshqitjet e dheut kanë krijuar pengesa për qarkullimin.
Përveç rrugëve, moti i keq ka prekur edhe banesat. Në fshatin Leniq, në Njësinë Administrative Bytyç, është dëmtuar banesa e Sadri Mehmet Gjedisë, si pasojë e erërave të forta dhe stuhisë gjatë natës.
Dëmtime në çati janë raportuar edhe në një banesë në lagjen Partizani të Bajram Currit, në pronësi të Rexhep Muçajt. Pasojat materiale kanë prekur edhe familjet e tjera që jetojnë në të njëjtën ndërtesë.
Për vlerësimin e situatës dhe evidentimin e plotë të dëmeve është ngritur një grup pune, i cili po kryen verifikimet në terren.

