Arben Dervishaj ishte i ftuar në podcastin “Pjaca”, me Alfred Pezën, ku rrëfeu disa episode nga koha kur punonte në Bashkinë e Tiranës dhe marrëdhënien profesionale me Edi Ramën. I pyetur nga Peza nëse kishte një histori për të treguar me Ramën, Dervishaj u përgjigj: “Rama kishte inat t’i thoje jo. Ti mund t’i thoje, por duhet t’ia shpjegoje. Kishte shumë drejtorë që i thoshin nuk bëhet, por ai donte të dëgjonte pse nuk bëhet”.
Dervishaj solli si shembull një rast nga koha kur ishte drejtor i Urbanistikës, lidhur me sheshin përballë Tajvanit, të cilin Rama kishte marrë lejen për ta ndërtuar. “Unë i thashë nuk bëhet kjo. Kështu shpëtova edhe një shesh tjetër. Rama thoshte: Kush i ka bërë këto çmenduri? Kam shpëtuar dy nga sheshet më të bukura të qytetit”, tregoi ai. Arkitekti u shpreh gjithashtu se nuk pranonte të jepeshin leje ndërtimi në kufi me shkollat.
Një tjetër histori që ndau në podcast lidhej me godinën e Kryeministrisë. Dervishaj tregoi se, gjatë përgatitjes së një teme diplome me studentët e tij, kishte studiuar projektin e ndërtimit të godinës dhe dokumentacionin teknik italian. “Italianët shkruanin: Inxhinieri duhet të qëndrojë derisa të thahet betoni. Sepse ishte koha që punëtorët mund të merrnin ndonjë shufër dhe kjo rezultoi e vërtetë, sepse nga 12 shufra ishin 10”, u shpreh ai. Më tej, Dervishaj kujtoi edhe deklaratën e Ramës pas tërmetit: “Në kohën e tërmetit, vetë Rama tha: Nëse kjo godinë nuk do të ishte përforcuar, do të kishte rënë”.
Gjatë bisedës me Alfred Pezën, Dervishaj u ndal edhe te Kopshti i Edenit dhe propozimet e tij për këtë hapësirë. “Pse mos e rrethojmë, pse mos e bëjmë një lloj Odeoni”, tregoi ai, duke kujtuar idenë që kishte hedhur në diskutim. Më pas, sipas tij, arkitektët e zhvilluan projektin me pemë dhe arkitekturë organike. “Unë propozova atëherë që të bëhej parkim nëntokë dhe pjesa sipër të rrinte e pastër”, përfundoi Dervishaj.

