Analisti Mentor Kikia e sheh garën për Bashkinë e Tiranës si një nga vendimmarrjet më të vështira për Partinë Socialiste në prag të zgjedhjeve vendore.
Sipas tij, sfida e mazhorancës nuk qëndron vetëm te emri që do të vendosë në garë, por edhe te gjetja e një kandidati që të mos jetë i lidhur me kostot politike që ka krijuar qeverisja socialiste.
I ftuar në emisionin “Tonight” me Mirela Milorin, Kikia argumentoi se besueshmëria e PS-së është dëmtuar nga protestat e muajve të fundit dhe akuzat e shumta për korrupsion. Për këtë arsye, kandidati për kryeqytetin do të duhet të përballojë jo vetëm garën elektorale, por edhe pakënaqësitë e krijuara ndaj partisë që e mbështet.
Analisti vlerësoi se Rama ka përpara dy alternativa: të zgjedhë një figurë jashtë strukturave partiake, e cila mund të prezantohet si një emër i shkëputur nga problematikat e deritanishme, ose të mbështetet te një politikan me përvojë administrative, por që do të mbartë edhe përgjegjësinë e bilancit të PS-së.
Duke komentuar emrat që kanë qarkulluar për këtë garë, Kikia përmendi tërheqjen e Erion Braçes dhe kandidaturën e përfolur të Arbër Hajdarit. Megjithatë, sipas tij, vendimi përfundimtar i Edi Ramës mund të mos jetë marrë ende.
Kikia u shpreh se kryeministri ka treguar në të kaluarën intuitë në përzgjedhjen e kandidatëve, edhe pse kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se zgjedhja e tij do të jetë më e mira për qytetin. Ai nënvizoi se Tirana ka nevojë për një drejtues që zotëron përvojë në menaxhim dhe jo thjesht për një figurë me profil politik.
“Intuita e tij është e jashtëzakonshme për të kapur të duhurin. Tani, i duhuri për të se nëse do të jetë i duhuri për qytetin, kjo është tjetër histori”, u shpreh Kikia.













