Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratik Myslim Murrizi ka kritikuar ashpër Elisa Spiropalin, duke e sfiduar që qëndrimet e saj kundër kryeministrit Edi Rama t’i shprehë edhe përmes votës në Kuvend dhe jo vetëm me deklarata publike.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, Murrizi u shpreh se deri më tani nuk sheh një qëndrim konkret të Spiropalit kundër qeverisë, ndryshe nga deputetja Koçeku, e cila, sipas tij, e ka shprehur kundërshtimin përmes votës.
Ai shtoi se liria politike ka koston e saj dhe se deputetët duhet të dëshmojnë me veprime nëse janë realisht të pavarur nga kryeministri.
Gjatë diskutimit, Murrizi u ndal edhe te e ardhmja politike e Erion Veliajt, duke deklaruar se e sheh atë si kandidat të mundshëm, pasi sipas tij, nuk ka më pengesa ligjore për kandidimin.
Ndërkohë, sa i përket opozitës, ish-deputeti i bëri thirrje Partisë Demokratike të përqendrohet te zgjedhjet lokale, balotazhi dhe propozimet për reformën zgjedhore, duke mos hezituar të shpallë kandidatët e saj.
Murrizi bëri të ditur edhe preferencën e tij për kandidatin e PD-së në Tiranë, duke mbështetur Ilir Alimehmetin.
“Kundër Edi Ramës janë me fjalë, por me vepra, këta që kanë mandat duhet ta shprehin me votë. Nuk e shoh Elisën që të votojë kundër në Parlament. Koçeku po. Po të mos votojë, mazhoranca zbret në 81 mandate. Nëse nuk mban qëndrim me votë një politikan quhet llapaqen dhe jo politikan. A duhet të jenë këta njerëz të lirë? Se deri tani kanë qenë skllevër. Liria ka kosto dhe lirinë unë dua ta shoh me votë. Veliajn e shoh si kandidat se sot nuk ka më pengesë ligjore. Thirrja ime është PD të përqendrohet te balotazhi, te propozimet për reformën zgjedhore. S’ka pse të trembet opozita nga nxjerrja e kandidatëve. Unë jam për Ilir Alimehmetin. Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku janë më të votuarit. PD ka marrë 163 mijë vota në Tiranë. Nuk duhet të ketë frikë, duhet të shpallë kandidatin”, tha ai.
