Paraqitjet e mira në Turqi kanë tërhequr vëmendjen e verdhekuqve, që shohin te 24-vjeçari një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv. Klubi turk nuk pranon ta lërë të lirë pa përfituar një shumë të konsiderueshme.

Ernest Muçi mund të jetë një nga emrat më interesantë të merkatos së ardhshme. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka përfunduar në radarët e Romës, e cila po shqyrton mundësinë për ta sjellë në Serie A pas paraqitjeve pozitive me fanellën e Trabzonsporit. Futbollisti shqiptar ka fituar vëmendje në kampionatin turk falë cilësive teknike, lëvizshmërisë dhe aftësisë për të krijuar rrezik në fazën sulmuese. Pikërisht këto karakteristika e bëjnë Muçin një profil interesant për Romën, që synon të shtojë alternativat dhe kreativitetin në repartin ofensiv.

Megjithatë, nëse verdhekuqtë dëshirojnë të konkretizojnë interesimin, do të duhet të përballen me kërkesat financiare të klubit turk. Trabzonspori e vlerëson kartonin e sulmuesit kuqezi plot 20 milionë euro dhe nuk duket i gatshëm të heqë dorë lehtësisht nga shërbimet e tij.

Për momentin bëhet fjalë për një pistë merkatoje që mbetet për t’u ndjekur, ndërsa zhvillimet e ardhshme do të tregojnë nëse interesi i Romës do të shndërrohet në një ofertë konkrete. Për Muçin, një transferim i mundshëm në kryeqytetin italian do të përfaqësonte një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë dhe një rikthim në futbollin italian, këtë herë në një prej klubeve më të njohura të Serie A.

Top Channel