E hënë, 23 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Politikë

Berisha fton partitë opozitare: Negociata pa paragjykime për të zgjedhur kandidatin për bashkinë e Tiranës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se negociatat me partitë opozitare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet e 9 majit do të zhvillohen me synimin për të krijuar një front të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama.

I pyetur nëse është dakord që kandidati për Bashkinë e Tiranës të vijë nga radhët e protestës, Berisha tha se në protestë kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike, por edhe qytetarë pa parti, duke e cilësuar atë si një bashkim të paprecedentë.

Ai theksoi se përzgjedhja e kandidaturës duhet të bëhet pa paragjykime dhe duke pasur si kriter interesin e qytetarëve të Tiranës.

“Ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur identitetin e tyre, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta. Të gjithë shkuan aty për largimin e Ramës. Ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forca në interesin e tij dhe të partisë për t’u bashkuar në një front”, tha Berisha ne nje konference me gazetaret.

Berisha deklaroi se opozita duhet të arrijë një marrëveshje të gjerë, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të përcaktojnë nëse e konsiderojnë qeverisjen e Ramës një rrezik ekzistencial për vendin.

“Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forcë në interesin e tij dhe të partisë të bashkohemi në një front”, deklaroi ai.

Kreu i PD hodhi poshtë gjithashtu pritshmëritë se qëndrimi i ndërkombëtarëve duhet të jetë përcaktues për bashkimin e opozitës, duke theksuar se sipas tij këshilla e tyre ka qenë që opozita të bashkohet.

Pyetje: Duke qenë se keni deklaruar se këtë javë do të nisni negociatat për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjet e 9  majit, a kanë nisur këto negociata dhe a jeni dakord me një kërkesë të shprehur që kandidati për bashkinë e Tiranës të jetë nga radhët e protestës?

Berisha: Aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarë pa parti. Protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë. Me atë që unë jam, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës.

Se, po të nisemi nga protesta, të garantoj që në trashëgiminë e tyre ata që kanë jo 170 ditë, por kanë 500-700 ditë në protestë, janë në përgjithësi të PD-së.

Por ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur identitetin e tyre, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta. Të gjithë shkuan aty për largimin e Ramës.

Ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forca në interesin e tij dhe të partisë për t’u bashkuar në një front.

Nuk ka gjë më qesharake sesa të presësh se çfarë do të thonë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët kanë vetëm një këshillë: bashkohuni si opozitë. Nuk ishte Vuçiçi rrezik ekzistencial për Serbinë, siç është Edi Rama.

Këta që i referohen lëvizjes serbe, duhet t’i referohen vërtetësisht dhe jo kot së koti. E vërteta është që lëvizja serbe është një përzierje e të gjitha rrymave, shumë prej të cilave nuk kanë asgjë të përbashkët në programet e tyre.

Unë ftoj të gjithë shqiptarët ta konsiderojnë këtë bashkim në kushtet e një rreziku real ekzistencial për kombin tonë. Me durim, por ne shpresojmë se kjo axhendë do të ecë.

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *