E hënë, 23 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Rajon-Botë

Vizita e Jakup Krasniqi në Kosovë, i biri: Ardhja e tij ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së nënës! Baba iu falenderon për mbështetjen

Vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij. Kështu ka deklaruar djali i tij, Altin Krasniqi, i cili ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj familjes gjatë kësaj periudhe.

Në një prononcim për KosovaPress, Altin Krasniqi bëri të ditur se vizita e babait të tij ishte e mirëpritur dhe e nevojshme, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të nënës. Ai konfirmoi gjithashtu se Jakup Krasniqi gëzon shëndet të mirë.

“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pasur nevojë, ka qenë për shkak të gjendjes së nënës, të cilës i falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, gjithë qytetarët. Edhe babai ishte mirë me shëndet”, u shpreh ai për KosovaPress.

Jakup Krasniqi qëndroi për katër ditë në Kosovë, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dhanë leje për një vizitë për arsye të forta humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdijes.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ish-kryeparlamentari dërgohej çdo ditë për disa orë në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku qëndronte pranë familjes dhe bashkëshortes. Ndërkohë, netët i kalonte në ambientet e selisë së EULEX-it në Fushë Kosovë.

E gjithë vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me shoqërimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Pas përfundimit të vizitës humanitare, Krasniqi u kthye sërish në Hagë.

Kjo ishte vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë që nga arrestimi dhe transferimi i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2020. Vizita e mëparshme ishte në tetor të vitit 2024, me rastin e vdekjes së vëllait të tij.

Kujtojmë se më 16 shtator 2026, Krasniqi u dënua në shkallën e parë me 25 vite burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *