Trabzonspori do 20 milionë euro për Ernest Muçin, Roma joshet por… Legjenda e verdhekuqve rrëfen zhgënjimet pas karrierës, pranon se njerëzit më të afërt përfituan prej tij dhe flet me emocione për të atin e ndjerë dhe divorcin nga Ilary Blasi.
Francesco Totti ka vendosur të flasë hapur për disa nga momentet më të vështira të jetës së tij, duke mos i kursyer as kritikat ndaj Romës, klubit me të cilin lidhi gjithë karrierën e tij si futbollist. Legjenda italiane, e cila gjatë gjithë karrierës veshi vetëm fanellën e verdhekuqve dhe atë të përfaqësueses së Italisë, ka zbuluar zhgënjimin për mënyrën se si u trajtua nga drejtuesit e klubit pas përfundimit të karrierës.
Në një intervistë për emisionin “Belve” në televizionin Rai 2, që do të transmetohet të martën, më 25 nëntor, ish-kapiteni i Romës foli për periudhën kur mbajti një rol drejtues në klub, por edhe për largimin e tij nga drejtuesit amerikanë.
“Do të doja që klubi të më respektonte më shumë”, u shpreh Totti në një fragment të intervistës të publikuar paraprakisht. I pyetur për mundësinë e një rikthimi në Romë, ai dha një përgjigje që do të zbulohet vetëm gjatë transmetimit të plotë të emisionit.
“Shumë njerëz u ushqyen me mua”
Një tjetër pjesë e intervistës ishte edhe më personale. Totti u pyet nëse gjatë viteve të tij të arta kishte pasur njerëz që kishin përfituar nga pozicioni dhe suksesi i tij. Përgjigjja ishte e drejtpërdrejtë.
“Jashtëzakonisht shumë: anëtarë të familjes, miq, të afërm. Shumë prej tyre u ushqyen me mua. Pastaj, me kalimin e kohës, rrugët ndahen dhe e kupton çfarë ndodhi vërtet. Nëse do të mundja, nuk do ta bëja përsëri”, deklaroi ish-futbollisti.
Emocionohet kur flet për të atin
Totti nuk i mbajti dot emocionet kur u ndal te kujtimet për babanë e tij të ndjerë. Ai pranoi se nuk i kishte thënë kurrë fjalët “Të dua” dhe se sot ndien mungesën e përqafimeve që nuk ia dha.
I pyetur se çfarë i mungon më shumë, ai u përgjigj: “Përqafimi. Janë gjëra që nuk i bën, dhe pastaj, kur njerëzit që janë zemra e gjithçkaje largohen, ndihesh i humbur dhe i vetmuar. Pa të, është një jetë tjetër”.
Ish-kapiteni pranoi se e konsideron veten “budalla” për këtë dhe zbuloi se po përsërit të njëjtin gabim edhe me fëmijët e tij.
“Për fat të keq, bëj të njëjtën gjë me fëmijët e mi, dhe e di që gabohem”, tha ai.
“Ndodhi. Nuk mund ta fal”
Në fund, Totti u rikthye te një prej kapitujve më të përfolur të jetës së tij private: divorci nga Ilary Blasi. I pyetur për deklaratën e ish-bashkëshortes, sipas së cilës martesa e tyre nuk do t’i mbijetonte një tradhtie, ish-futbollisti u përgjigj pa ekuivoke:
“Ndodhi. Nuk mund ta fal”.
Deklaratat e Francesco Tottit pritet të shkaktojnë reagime të shumta, ndërsa intervista e plotë në “Belve” do të transmetohet të martën në mbrëmje.
Top Channel