
Përfaqësuesi i Kalifornisë në Kongresin amerikan, Jimmy Gomez, do japë dorëheqjen mes skandalit, pasi një raport tronditës i Komisionit të Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve zbuloi se ai kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një asistente të Kongresit dhe se dyshohet se kishte sulmuar seksualisht një tjetër.
Në një deklaratë të dhënë të hënën për disa media, Gomez tha se merr «përgjegjësi të plotë për gabimet personale» që kishte bërë dhe se «nuk shihte asnjë alternativë tjetër» përveç dorëheqjes më 1 dhjetor, një muaj përpara përfundimit të mandatit të tij, shkruan NY Post.
Themeluesi i grupit parlamentar Dads Caucus, i cili është i martuar, akuzohet në raport se ka kryer prekje intime me gisht pa pëlqimin e një asistenteje të një tjetër ligjvënësi të Dhomës së Përfaqësuesve, në një bar të thjeshtë në Uashington, në shkurt të vitit 2024.
Akuza doli në dritë pasi hetuesit nisën të shqyrtonin një raportim të gazetës The Post të muajit prill, sipas të cilit Gomez ishte parë duke u puthur në verën e vitit 2023 me një tjetër asistente të Kongresit, me të cilën ai pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore.
«Në çdo fazë kam bashkëpunuar me Komisionin e Etikës, duke iu përgjigjur vullnetarisht kërkesave për informacion», pretendoi Gomez, pavarësisht se vazhdon të mohojë episodin e puthjes që nxiti hetimin dhe që ishte parë personalisht nga tre burime të The Post.
«Kam mosmarrëveshje të forta me raportin e Komisionit dhe përfundimet e tij. Mes mangësive dhe lëshimeve të tjera të rëndësishme, raporti nuk përfshin pjesë kyçe të dëshmisë sime, të cilat janë thelbësore për një kuptim të plotë dhe të drejtë të asaj që ndodhi», tha ai.
«Kam gjithashtu shqetësime serioze lidhur me procesin. Gjatë intervistës sime iu përgjigja pyetjeve të Komisionit, vetëm për të parë më pas se deklaratat e mia ishin cituar në mënyrë selektive, ishin denigruar dhe ishin shpërfillur përgjatë raportit përfundimtar, ndaj të cilit nuk m’u dha asnjë mundësi për t’u përgjigjur».