E ftuar në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio, gazetarja Bieta Sulo ka ndarë filozofinë e saj të jetës, bazuar në atë që ajo e quan “rregulli i art 30-30-30”. Sipas Sulos, 30% e jetës sonë përcaktohet nga gjenetika dhe fati i lindur, 30% tjetër nga vetë ne dhe aftësitë tona, ndërsa 30% e fundit mbetet thjesht fat i mirë në kohën e duhur.
“Isha unë që me nuhatjen time kërkova të kisha një punë, edhe pse isha vetëm 20 vjeç dhe guxova të shkoja në Top Channel. Ishte 30% fat, sepse në atë kohë po merrnin gazetarë në punë, dhe duhej 30% të dish ta bësh atë,” shpjegoi ajo.
Gazetarja theksoi rëndësinë e të fokusuarit tek pozitivja në jetë:
Besoj tek ajo ku fokusohemi ne. Nëse merr një problem të vogël dhe e zmadhon, do mërzitesh gjithë ditën.
Sulo foli edhe për rëndësinë e çlirimit nga komplekset me kalimin e moshës:
Një shprehje që nuk e pëlqej është kur njerëzit thonë ‘kështu jam unë’. Nuk je kështu, duhet ta ndryshosh, ta përmirësosh veten, sado vjeç qofsh.
Ajo shtoi se ndryshimi i mendjes dhe reflektimi janë shenja pjekurie, jo dobësie, dhe se njeriu duhet ta falë veten për gabimet e të menduarit të së shkuarës.