Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Anulohen fluturimet në Belgjikë për shkak të grevës kundër masave shtrënguese

Belgjike

Foto: Associated Press

Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore janë ndërprerë në të gjithë Belgjikën, si pasojë e një greve kundër masave të planifikuara të kursimit të shpenzimeve publike.

I gjithë trafiku ajror është pezulluar në aeroportin Zaventem të kryeqytetit Bruksel, si dhe në aeroportin e Charleroit, ku operojnë kompani ajrore me kosto të ulët, si Ryanair.

Edhe trenat dhe linjat e metrosë në Bruksel janë ndalur, ndërsa pritet që një numër i madh njerëzish t'i bashkohen marshimit protestues.

Protesta zhvillohet në një kohë kur kryeministri Bart De Wever ende nuk ka arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit për një buxhet që synon shkurtimin e shpenzimeve. Mbreti Philippe refuzoi dorëheqjen e tij në fillim të këtij muaji, duke i dhënë De Weverit më shumë kohë për negociata.

Për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, asnjë fluturim nuk do të ngrihet apo ulet në aeroportin e Brukselit nga ora 07:00 deri në 21:00 sipas kohës lokale të hënën. Planet e udhëtimit të më shumë se 50.000 pasagjerëve janë prekur, ndërsa pritet që numri të rritet gjatë natës dhe të martën.

Edhe Aeroporti i Brukselit anulon 110 fluturime të së mërkurës Botë Aeroporti i Brukselit anulon 110 fluturime të së mërkurës

Një situatë e ngjashme është paraqitur edhe në aeroportin e Charleroit, ku të gjitha fluturimet figuronin me statusin “të planifikuara”, pavarësisht orarit të nisjes apo mbërritjes.

“Pa kontrollin e trafikut ajror, asnjë fluturim nuk mund të ngrihet apo të ulet”, ka deklaruar aeroporti të shtunën, kur u njoftua greva, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.

Ndërsa mijëra njerëz u drejtuan drejt Brukselit për marshimin protestues, kreu i një prej sindikatave kryesore të vendit, FGTB, ka deklaruar se qeveria kishte alternativa ndaj “shkatërrimit të sistemit të mbrojtjes sociale”.

“Një taksë e mirëfilltë mbi pasurinë, një sistem i drejtë tatimor dhe eliminimi i lehtësive fiskale që mundësojnë shmangien e taksave”, ka thënë Bert Engelaar, kreu i FGTB-së.

“Përgjegjësia politike nuk ka të bëjë me mbajtjen e një qeverie në këmbë me çdo kusht. Ka të bëjë me të diturit se kur duhet ndalur”, ka shtuar Engelaar, duke përshëndetur partinë e majtë Vooruit, të vetmen parti nga koalicioni pesëpartiak qeverisës që, sipas raportimeve, ka penguar përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për buxhetin.

Vooruit kërkon rritjen e taksave për të pasurit dhe më pak shkurtime në pensione dhe në sektorin e shëndetësisë.

Edhe Belgjika mbetet pa transport publik pasi sindikatat hynë në grevë Botë Belgjika mbetet pa transport publik pasi sindikatat hynë në grevë

Një tjetër udhëheqëse sindikale, Ann Vermorgen nga CSC, ka kritikuar planet e qeverisë për të shkurtuar ditët e pushimit zyrtar kur ato bien në fundjavë.

Ndërprerje po përjetojnë gjithashtu transporti publik, shkollat dhe shërbimet e tjera publike.