Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Jensen Huang rikthehet në krye të Nvidia-s

Jensen Huang

Foto: Associated Press

Jensen Huang është rikthyer në detyrën e drejtorit ekzekutiv dhe presidentit të NVIDIA-s, ka njoftuar të hënën Bordi i Drejtorëve të kompanisë.

Bordi ka votuar “unanimisht” për rikthimin e tij, “pas një serie diskutimesh dhe takimesh me zotin Huang, gjatë të cilave u bind për sinqeritetin e tij dhe aftësinë për të udhëhequr NVIDIA-n”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Bordi beson se Jensen është personi i duhur për të udhëhequr NVIDIA-n dhe se rikthimi i tij është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve tanë”, ka deklaruar Harvey C. Jones, kryetar i Bordit.

“Ne kemi besim të plotë te Jenseni dhe presim me padurim të punojmë me të, ndërsa ai rifillon drejtimin e kompanisë. Jemi mirënjohës ndaj Colette Kress për shërbimin e saj të jashtëzakonshëm si drejtoreshë e përkohshme ekzekutive, krahas përgjegjësive të saj të vazhdueshme si drejtoreshë financiare e NVIDIA-s”, ka shtuar Jones.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se “Bordi mori informacione nga nivelet e larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe, bazuar në këto informacione, është i bindur se rikthimi i zotit Huang nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare”.

Huang ka dhënë dorëheqjen nga pozita e shefit ekzekutiv të Nvidias gati dy javë më parë pas raportimeve se ai kishte lidhje jashtëmartesore me dy gra, njëra e dyshuar si spiune kineze, ndërkaq tjetra një vartëse e tij në kompani.

Trump: Rikthimi i Huangut në Nvidia nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare

10 o. më parë / 23 nën 2026 16:27
Donald Trump dhe Jensen Huang

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mirëpritur të hënën vendimin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë Nvidia për rikthimin e Jensen Huangut në postin e drejtorit ekzekutiv, duke thënë se rikthimi i tij nuk përbën asnjë rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Bordi i Drejtorëve të NVIDIA-s ka marrë vendimin e duhur dhe të drejtë për ta rikthyer Jensen Huangun në detyrën e drejtorit ekzekutiv”, ka shkruar Trumpi në një postim në rrjetet sociale. 

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë arsye të besojë se rikthimi i Jensenit në NVIDIA përbën ndonjë rrezik për sigurinë kombëtare”, ka shtuar ai,

Trumpi i cili e konsideron Huangun një nga aleatët e tij më të afërt në Silicon Valley, kishte ushtruar presion për rikthimin e tij, pavarësisht zbulimeve për lidhjen jashtëmartesore të Huangut me shtetasen kineze Alice Huang, e dyshuar si spiune. Ata nuk kanë lidhje familjare.

Javën e kaluar, teksa po largohej nga Uashingtoni për një vizitë në Azi, presidenti amerikan ka thënë se nuk do ta kishte problem të kërkonte rikthimin e Huangut në kompani.

Ndryshimi i vendimit ka bërë që aksionet e NVIDIA-s të rriteshin me 33 për qind, duke ndikuar pozitivisht edhe në aksionet e kompanive të tjera të lidhura me industrinë e çipave.

Sipas deklarimit të fundit financiar të Trumpit, të publikuar të enjten, presidenti amerikan kishte blerë aksione të NVIDIA-s në vlerë deri në 265 mijë dollarë dhe kishte shitur aksione në vlerë deri në 15 mijë dollarë në shtator, disa javë para se të publikoheshin raportimet për lidhjet e Huangut me të dyshuarën si spiune kineze.

Në postimin e tij të hënën, Trumpi e ka cilësuar Jensen Huangun si një “patriot të madh dhe pasuri kombëtare”. 

Presidenti amerikan ka thënë se prokurori i përgjithshëm, Todd Blanche, e kishte konfirmuar se qeveria federale nuk kishte asnjë provë që Jensen Huang të ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Rriten për 30% aksionet e Nvidia-s pas kthimit të Jensen Huangut në kompani

10 o. më parë / 23 nën 2026 16:12
Jensen Huang

Photo: Associated Press

Aksionet e Nvidia-s kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme me hapjen e bursave të hënën, pas lajmit se Jensen Huang është rikthyer në postin e drejtorit ekzekutiv të kompanisë.
Aksionet e Nvidia-s kanë pësuar rritje prej rreth 30 për qind.

Çmimi i aksioneve të kompanisë kishte pësuar rënie të ndjeshme, duke e mbyllur të premten tregtimin me një humbje prej gati 14 për qind, pas raportimeve të Reuters se Komisioni Amerikan për Letrat me Vlerë dhe Bursat (SEC) po hetonte kompaninë lidhur me praktikat e saj të kontabilitetit.

Bordi i kompanisë Nvidia ka njoftuar të hënën se kishte vendosur në mënyrë unanime ta kthente Huangun në detyrën që kishte.

Huang kishte dhënë dorëheqje afro dy javë më parë, pas raportimeve se ai kishte pasur lidhje jashtëmartesore me dy gra, njëra e dyshuar si spiune kineze dhe tjetra një vartëse e tij në kompani.