Rënia e euros ka sjellë që pas 23 vitesh çmimet e apartamenteve në vend të tregtohen në monedhën vendase. Për agjentët imobiliarë, ndryshimi i nisur prej 3 muajsh po shtrihet në të gjithë tregun e pasurive të paluajtshme, përfshirë në shitblerjen e apartamenteve me kontrata porosie, të përfunduara dhe rishitje.
Nga mesi i vitit 2016, euro filloi nënçmimin e pandalshëm, duke zbritur për herë të parë ditën e sotme nën kufirin e 90 lekëve.
Në raport me nivelin maksimal historik prej 142,8 lekësh, të shënuar më 9 qershor 2011, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 37%, duke arritur një minimum të ri historik më 20 nëntor nën kufirin e 90 lekëve.
Pas tranzicionit të fillim vitit ’90, mallrat e qëndrueshme, si shtëpitë apo automjetet shiteshin në pjesën më të madhe në valutë të huaj, për shkak të pasigurisë së monedhës vendase. Fillimisht shitja kryhej në dollarë. Prej vitit 2003, kur euro u barazua dhe e tejkaloi dollarin në bursa, ajo filloi të ishte dhe monedha e preferuar e shqiptarëve, teksa pagesat e makinave, apartamenteve etj, u konvertuan nga dollari në euro.
Por për shkak të zhvlerësimit të lartë të euros, sipas agjentëve imobiliarë çmimet e pronave në tregun e shitblerjes në rang kombëtar po orientohen drejt lekut, për të shmangur pasigurinë nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Kërkesa për apartamente në stanjacion, vështirësi për kullat dhe vilat
Ndryshimi i monedhës së shitjes vjen në një periudhë kur tregu i pasurive të paluajtshme po përballet edhe me stanjacion të kërkesës, ndërsa çmimet nuk kanë ndryshuar.
Por kalimi në lekë nuk është shoqëruar me ulje të çmimeve të apartamenteve. Përkundrazi, në disa raste pronat po ofrohen me çmime më të larta, pavarësisht se kërkesa është në stanjacion.
Kjo do të thotë se forcimi i lekut nuk po përkthehet domosdoshmërisht në përfitim për blerësit, ndërsa zhvilluesit po përpiqen të mbrojnë vlerën e shitjes nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Indirekt, vetëm nga kursi, çmimet janë shtrenjtuar. Psh, nëse një apartament sot shitet me 30 milionë lekë, nga 300 mijë euro më parë, e konvertuar me kursin aktual, kjo shumë është 330 mijë euro, ose rreth 11% më shumë.
Shqetësimi për ecurinë e kërkesës së pronave luksoze u ngrit edhe nga ndërtuesit në formonin ekonomik të zhvilluar nga Monitor “Top 200”.
Në muajin shtator 2026 agjentët imobiliarë pohuan se kërkesa për blerje apartamentesh në Tiranë ishte në rënie.
Rënia e kërkesës për prona rreth 2 muaj më parë sipas tyre, u ndikua nga rënia e kërkesës të blerësve me burime financime nga paraja informale, ishte ndikuar nga intensifikimet e hetimeve të SPAK për figura të politikës dhe sipërmarrjes. Për segmentin e strehimit rënia e kërkesës u ndikua nga papërballueshmëria e çmimeve.
Në Tiranë, çmimet e apartamenteve në kullat rezidenciale po shiten me çmim mbi 6 mijë euro për metër katror.
Kjo rritje dyshifrore e çmimeve, e shkëputur nga ritmi i rritjes së të ardhurave, po rikthen debatin nëse tregu i pasurive të paluajtshme po mbivlerësohet dhe nëse ekziston rreziku i krijimit të një flluske. Sipas të dhënave të INSTAT, deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar arriti në 92 mijë lekë./Monitor
