Që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, të paktën 1,087 pjesëtarë të ushtrisë ruse kanë kryer vetëvrasje. Shifrat u bënë publike pas shqyrtimit nga gazeta britanike “The Guardian” të dokumenteve konfidenciale të Rosstat, agjencisë shtetërore ruse të statistikave.
Numri i rasteve të evidentuara përfaqëson një humbje të krahasueshme me efektivin e një regjimenti të plotë ushtarak. Në dokumente figurojnë edhe 885 vdekje të tjera nga plagë me armë zjarri, të cilat janë regjistruar me motiv “të papërcaktuar”. Sipas ekspertëve, disa prej tyre mund të jenë vetëvrasje të klasifikuara ndryshe.
Të lidhura
None found
Të paktën 614 vetëvrasje kanë ndodhur në zona të pushtuara të Ukrainës ose në rajone ruse pranë kufirit, kryesisht në Belgorod dhe Bryansk. Më shumë se gjysma e rasteve janë kryer me armë zjarri. Ato janë raportuar në kampe ushtarake, pozicione luftarake, poligone stërvitore dhe banesa private.
Statistikat pasqyrojnë një shtim të rasteve gjatë viteve të luftës: nga mbi 50 në vitin 2022, ato kaluan në më shumë se 200 në vitin 2024 dhe arritën në 365 gjatë vitit 2025. Për vitin 2026 janë shënuar gati 300 raste, por të dhënat për këtë periudhë nuk janë të plota.
Ekspertët dhe organizatat që u ofrojnë ndihmë ushtarëve rusë për dezertim mendojnë se shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë. Ata përmendin si faktorë presionin e vazhdueshëm psikologjik, abuzimet, dhunën e ushtruar nga eprorët dhe dërgimin në misione me rrezik të jashtëzakonshëm.
Kremlini nuk publikon shifra zyrtare për vetëvrasjet në ushtri, ndërsa të dhënat për viktimat ushtarake mbahen sekret shtetëror. Raporti vëren se disa vdekje mund të regjistrohen si humbje në luftime, çka e ndërlikon llogaritjen e numrit të saktë.
Vështirësitë në ushtrinë ruse shfaqen edhe te rastet e dezertimit dhe refuzimit për të shërbyer. Sipas të dhënave të përmendura në raport, deri në fund të majit 2025 gjykatat ushtarake ruse kishin shqyrtuar çështje për refuzim shërbimi ndaj 20,662 personave. Ndërkohë, të paktën 49 mijë ushtarakë ishin shpallur dezertorë ose të larguar pa leje nga detyra.
Shifrat e bëra publike japin një pasqyrë të presionit dhe gjendjes së rënduar psikologjike me të cilën përballen trupat ruse në frontin e luftës në Ukrainë.








