Aksidenti tragjik në Papër, 21-vjeçari përplas për vdekje këmbësorin, viktima ende e paidentifikuar
Policia ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Elbasan-Peqin, pranë fshatit Papër, ku një këmbësor humbi jetën pasi u përplas nga një automjet.
Sipas informacionit paraprak të policisë, në aksident është përfshirë një automjet që drejtohej nga një 21-vjeçar, me inicialet O. M., i cili ka aksidentuar një këmbësor rreth 60 vjeç.
Përplasja ka qenë fatale për këmbësorin, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Deri më tani, identiteti i viktimës nuk është bërë ende i mundur.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, si dhe për identifikimin e viktimës.




