Ka shkuar në dy numri i viktimave nga atentati ku u vra Selami Hasani, ngjarje e ndodhur një ditë më parë (23 nëntor) në Fier.
Mësohet se ka ndërruar jetë edhe nipi i Selami Hasanit, Jakup Hasani, i cili kishte mbetur i plagosur.
47-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve në Spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhej në reanimacion.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”, në zonën e njohur si Kodër, në Fier. Selami Hasani ndodhej duke punuar në oborrin e banesës së tij, kur persona të armatosur iu afruan dhe hapën zjarr me breshëri në drejtim të tij. Nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë edhe nipi i tij, Jakup Hasani.
47-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai kishte marrë disa plumba në trup dhe pas operacionit u dërgua në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Sipas hetimeve paraprake, në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë disa persona. Pas sulmit, autorët janë larguar me një automjet, i cili pak minuta më vonë është gjetur i djegur në zonën e Dërmenasit, pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në aksin Fier-Vlorë. Brenda makinës, grupi hetimor ka gjetur edhe dy armë zjarri, që dyshohet se janë përdorur në atentat.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë fiksuar praninë e automjetit në zonë, por autorët nuk janë identifikuar ende. Në kuadër të hetimeve, tre persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.













