Kosova ka nisur sërish përpjekjet për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi iniciativa e mëparshme nuk u realizua. Kryeministri Albin Kurti dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë pajtuar që procesi të vazhdojë me hartimin e një drafti të ri, ku do të angazhohen ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Pas takimit me përfaqësuesit e PDK-së, më 19 nëntor u bë e ditur se palët kishin rënë dakord për vazhdimin e nismës. Më 23 nëntor, Kurti tha se ekspertët pritet ta përmbyllin draftin gjatë ditëve në vijim.
Të lidhura
None found
Synimi është që ndryshimet e propozuara të mbështeten në baza më të qëndrueshme juridike dhe të mund të zbatohen në praktikë. Megjithatë, procesi ka nxitur pikëpyetje rreth transparencës, përmbajtjes së ndryshimeve dhe interesave politike që mund të lidhen me iniciativën.
Juristi Blerim Burjani kërkon më shumë transparencë dhe sugjeron ndërhyrje konkrete në mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara. Analisti politik Faton Mehmeti, nga ana tjetër, e cilëson nismën e PDK-së si përpjekje për të siguruar përfitime politike brenda partisë.
Burjani: Procesi po zhvillohet pa transparencë, pas dyerve të mbyllura
Në një përgjigje për “Bota sot”, juristi Blerim Burjani ka shprehur kritika për mënyrën e zhvillimit të procesit. Sipas tij, publiku nuk është njoftuar as se kush bën pjesë në grupin strategjik, as cilët ekspertë po kontribuojnë në përgatitjen e ndryshimeve.

Burjani thotë se puna po bëhet pa komunikim të qartë me qytetarët dhe pa transparencë. Ai vë në dyshim edhe sa seriozisht po angazhohet PDK-ja në këtë nismë.
“Po punohet plotësisht pa transparencë, ndër tavolina. Aspak nuk ka sinqeritet në këtë çështje. Bëhet një grup strategjik, nuk dihen emrat e njerëzve, ndërsa ekspertët nuk dihen fare. Një Kuvend plotësisht jotransparent për publikun. PDK-ja është në pasiguri, nuk po dinë a po bëjnë mirë apo keq me këtë nismë. Në anën tjetër, bashkësisë ndërkombëtare i është bërë e papranueshme mënyra se si është trajtuar më herët kjo çështje. Tash po tentojnë bashkërisht të bëjnë një ligj me ekspertë ndërkombëtarë dhe me konsultime me BE-në”, ka deklaruar Burjani.
Ai vlerëson se hapësira për ndryshime të mëdha është e ngushtë, pasi një pjesë e konsiderueshme e procesit gjyqësor tashmë është zhvilluar. Sidoqoftë, sipas tij, mund të shqyrtohen dispozita që lidhen me kompetencat e institucioneve gjyqësore dhe me kontrollin e vendimeve.
“Puna kryesore është kryer nga Gjykata. Tash ka mbetur vetëm pala e pakënaqur të merret me këtë punë. Më mirë është që Kuvendi ta shuajë këtë ligj, pra atë aktual, sesa të ndryshojë diçka prej tij, sepse aty gjasat për të ndërtuar diçka të re në këtë stad janë të vogla, është vonë”, ka thënë ai.
Burjani propozon që kompetencat e Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese dhe Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara t’u barten institucioneve përkatëse në Kosovë. Ai kërkon edhe përcaktim më të qartë të standardeve për pranimin dhe vlerësimin e provave, përfshirë llojet e dëshmive që mund të paraqiten në gjykatë.
“Shumë vështirë është tash të ndryshohet në konstelacionin ekzistues, por mundësi gjithmonë ka. Për shembull, kompetencat e Gjykatës Supreme, Gjykatës Kushtetuese dhe Ombudspersonit duhet t’u kalojnë institucioneve përkatëse në Kosovë. Pastaj duhet të qartësohet se çfarë është dëshmi akuzuese dhe dëshmi mbrojtëse, cilat prova duhet t’i plotësojnë kushtet për të qenë valide dhe cilat dëshmi mund të prezantohen në gjykatë”, ka deklaruar Burjani.
Një tjetër propozim i tij lidhet me shkallët e gjykimit: Dhomat e Specializuara, sipas Burjanit, duhet të merren me shkallën e parë, ndërsa shqyrtimi i ankesave dhe kontrolli kushtetues t’u takojnë institucioneve përkatëse të Kosovës.
“Shkalla e parë duhet të respektohet në nivelin e parë, përderisa korrigjuesi eventual i shkallës së parë të jetë Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese. Tri nivelet duhet të kalojnë te institucionet kosovare në Kosovë, pra Dhomat të kenë vetëm shkallën e parë, ndërsa të tjerat të kalojnë te Kosova”, ka theksuar ai.
Burjani paralajmëron se përfshirja e politikës në proces mund të dëmtojë profesionalizmin e vendimmarrjes. Ai përsërit shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga partitë dhe institucionet që janë pjesë e nismës.
Mehmeti: Nisma mund të shërbejë për përfitime politike brenda PDK-së
Analisti politik Faton Mehmeti e konsideron iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara një lëvizje politike të PDK-së. Sipas tij, nisma nuk nënkupton domosdoshmërisht se synohen ndryshime konkrete për ish-drejtuesit e UÇK-së.

Mehmeti vlerëson se disa deputetë të PDK-së po e përdorin këtë çështje për të fituar mbështetje dhe për të përforcuar pozitat e tyre në parti, në kohën kur, sipas tij, grupacione të ndryshme brenda subjektit po garojnë për kontrollin e tij.
“Ndryshimet në projektligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja, janë thjesht një manovër politike dhe konsum politik nga disa deputetë të kësaj partie, të cilët synojnë të fitojnë poena për të fuqizuar pozitat e tyre brenda subjektit, në një kohë kur tri grupacionet brenda PDK-së po luftojnë për të marrë kontrollin.
Pra, nuk duket se bëhet fjalë për interesim të sinqertë për Hashim Thaçin apo të tjerët, por më shumë për interesa personale dhe përpjekje për të përfituar politikisht”, ka deklaruar Mehmeti.
Ai kritikon gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se nuk sheh angazhim të mirëfilltë nga kjo parti për çështjen, por përpjekje për ta shfrytëzuar politikisht nismën e PDK-së.
Sipas analistit, edhe nëse ndryshimet miratohen, ato mund të kundërshtohen në rrugë juridike dhe të mos i mbijetojnë kontrollit kushtetues.
“Ndërkohë, as nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk vërehet ndonjë seriozitet i madh në këtë drejtim, përveç përpjekjeve për ta shfrytëzuar politikisht atë që e konsiderojnë hipokrizi të PDK-së.
Në realitet, nuk duket se ka diçka konkrete dhe serioze në këtë iniciativë. Edhe nëse hipotetikisht miratohen ndryshimet, ato mund të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese në Dhomat e Specializuara. Prandaj, kjo çështje duket më shumë si një përpjekje për përfitime politike brenda PDK-së sesa si një iniciativë me synime reale për të sjellë ndryshime”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.








