Qarkullonin me armë zjarri në automjet, arrestohen 4 persona, mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës

Aktualitet | 1 minutë më parë

Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar në kryeqytet. Mes të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.

Ngjarja është regjistruar pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, ku shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Audi”, në të cilin udhëtonin katër shtetas.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë gjetur një pistoletë të fshehur në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të mjetit. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet edhe një tjetër armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, policia ka arrestuar në flagrancë katër shtetasit:

  1. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës;
  2. Sh., 28 vjeç;
  3. M., 42 vjeç, ushtarak;
  4. S., 46 vjeç, ushtarak.

Ata akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Përveç armës së gjetur në automjet, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga uniformat blu. Sipas policisë, kjo pajisje dyshohet se mbahej nga shtetasi I. Sh.

Ndërkohë, për pistoletën e gjetur gjatë kontrollit fizik të punonjësit të Gardës së Republikës, verifikimet po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të secilit prej të arrestuarve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme