Atentat me makinë bombë në Kolumbi, shpërthimi shkatërron ndërtesa publike, të paktën 12 të plagosur

24/11/2026 08:41

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Villavicencios në Kolumbi, ku një automjet i mbushur me eksploziv ka shpërthyer pranë selisë së Guvernatorit të departamentit Meta. Nga atentati kanë mbetur të plagosur të paktën 12 persona, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 të së hënës, pranë sheshit Los Libertadores, në qendër të qytetit. Fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe sa shkatërroi fasadat e ndërtesave, theu xhamat, dëmtoi automjetet dhe la pas një numër të madh rrënojash.

Sipas raportimeve të mediave lokale, vala goditëse përfshiu një rreze prej rreth 500 metrash. Një restorant në zonë u shkatërrua plotësisht, ndërsa dy biznese dhe disa automjete pësuan dëme të rënda.

Të plagosurit u transportuan për ndihmë mjekësore në spitalet e qytetit. Sipas raportimeve fillestare, shumica e tyre ishin punonjës të sigurisë pranë godinës së administratës rajonale. Presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, konfirmoi atentatin përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke dënuar sulmin dhe duke premtuar ndëshkimin e autorëve.

Ai e cilësoi ngjarjen si një akt të lidhur me narkoterrorizmin, duke deklaruar se grupet kriminale synojnë të frikësojnë institucionet dhe të detyrojnë qeverinë të tërhiqet nga operacionet kundër tyre.

Presidenti theksoi se qeveria nuk do të zhvillojë negociata nën presionin e dhunës dhe se autorët do të ndiqen penalisht. Ndërkohë, guvernatorja e Meta-s, Rafaela Cortés, deklaroi se autoritetet do të identifikojnë personat që organizuan dhe ekzekutuan atentatin.

Pas ngjarjes, në zonë mbërritën forcat e policisë, ushtria, zjarrfikësit dhe ekspertët e lëndëve eksplozive. Autoritetet rrethuan vendin e shpërthimit dhe nisën verifikimet për të përcaktuar përbërjen e mjetit shpërthyes dhe personat përgjegjës. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.

Atentati në Villavicencio vjen në një moment të tensionuar për sigurinë në Kolumbi. Vetëm disa orë më parë, një tjetër sulm me dronë ishte regjistruar në qytetin e Cúcuta-s, pranë kufirit me Venezuelën. Ngjarja ka rikthyer shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës nga grupet e armatosura në vend, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit.

Top Channel