Në mëshirë të shiut dhe të të ftohtit, familjet rome në Gjirokastër në kushte të vështira, kërkojnë investime në rrugë dhe baraka
Banorët e komunitetit rom në lagjen “Zinxhira” të Gjirokastrës po përballen me kushte të vështira jetese, për shkak të mungesës së strehimit dhe amortizimit të infrastrukturës rrugore në zonën ku banojnë.
Barakat e improvizuara, ku në disa raste jetojnë 7 deri në 8 anëtarë të së njëjtës familje, nuk ofrojnë kushtet minimale të banimit. Sa herë që bie shi, ato mbushen me ujë, duke u përmbytur dhe duke vështirësuar edhe më shumë jetesën e banorëve, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Përveç mungesës së strehimit, një tjetër problem shqetësues është gjendja e rrugës që të çon në këtë lagje. Ajo është e amortizuar, e mbuluar me baltë dhe e mbushur me gropa, duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve, sidomos në ditët me reshje.
“Jam mbuluar me mushama, e gjithë baraka pikon. Ku të fle unë aty?”, shprehet një prej banorëve, duke treguar vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë.
Një tjetër banore ngre shqetësimin për kushtet e pasigurta të banimit, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për rregullimin e rrugës dhe përmirësimin e banesave.
“Duam që të rregullohet rruga dhe banesat. Kemi frikë nga era, nga shiu, mos laget korrenti dhe të digjemi brenda. Pa punë, me pension të vogël. Me çfarë t’i paguajmë?”, thotë ajo.
Përballë këtyre problematikave, Bashkia Gjirokastër ka parashikuar në projektbuxhetin për vitin 2027 disa investime që synojnë adresimin e problematikave sociale me të cilat përballet komuniteti rom.




