Gjykata e Lartë e Danimarkës vendosi në favor të një shoqate banesash që kishte ndërprerë 91 kontrata qiraje për të shmangur klasifikimin e kompleksit të saj si “geto e ashpër”. Vendimi përkon me qasjen e ashpër të Kopenhagës ndaj imigracionit dhe synimin për të nxitur integrimin, megjithëse një vendim i një gjykate të lartë të BE-së vitin e kaluar vuri në dukje se zbatimi i këtij ligji mund të përbëjë diskriminim.
Ligji danez kërkon që komplekset e banesave sociale të rindërtohen, rinovohen dhe të ndryshojnë përbërjen sociale nëse ka përqendrim të lartë të huajsh; ai parashikon që deri në vitin 2030, 60 për qind e apartamenteve të jepen me qira me çmime tregu për banorë që klasifikohen si “perëndimorë”. Roli pionier i Danimarkës në vendosjen e rregullave më të ashpra e ka shndërruar vendin në model për disa shtete të BE-së; Danimarka ishte një nga pesë vendet që njoftuan synimin për të ngritur në Ruandë një qendër për deportimin e azilkërkuesve të refuzuar.
Ministri danez i Strehimit, Jacob Mark, përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë duke thënë se ai “forcon sigurinë, kohezionin shoqëror dhe integrimin”. Gjykata e Lartë konfirmoi një vendim të vitit 2022 të një gjykate më të ulët kundër shtatë qiramarrësve që kishin kundërshtuar dëbimin e tyre nga kompleksi i banesave në Nøjsomhed, në Helsingør, veri të Kopenhagës.
Në arsyetimin e saj gjykata vlerësoi se ligji nuk është diskriminues lidhur me dëbimin e “emigrantëve dhe pasardhësve të tyre nga vendet jo-perëndimore”, pasi kriteri nuk bazohet drejtpërdrejt në përkatësinë etnike. Gjykata e BE-së vitin e kaluar ishte përqendruar në këtë aspekt, duke argumentuar se ligji do të ishte diskriminues nëse kriteret do të mbështeteshin në racë, megjithëse vendimin përfundimtar e la te gjykatat kombëtare. Sipas vendimit danez, “zbatimi i këtij kriteri ligjor i ndan njerëzit në dy grupe [emigrantë dhe pasardhës nga vendet jo-perëndimore, dhe të gjithë personat e tjerë]. Të dy grupet përfshijnë një shumicë shumë të madhe origjinash etnike të ndryshme dhe, njëkohësisht, persona me të njëjtën origjinë etnike mund të gjenden në të dy grupet”.
Shoqatat e qiramarrësve vlerësojnë se për të respektuar kërkesat e ligjit do të duhet të zhvendosen rreth 11.000 persona. Shoqata e banesave në qendër të çështjes deklaroi se ishte e vetëdijshme për ndikimin dhe kishte ndërmarrë masa për t’i ndihmuar banorët të gjenin banesa të reja. Sipas Statistics Denmark, kategorisë së vendeve “jo-perëndimore” i përkasin të gjitha shtetet përveç 27 vendeve anëtare të BE-së dhe listës së shteteve të përjashtuara.
