SHBA vendos në listën e zezë Megaspeed dhe filialin e Alibaba, pas skandalit të Nvidia-s
Departamenti amerikan i Tregtisë përfshiu të hënën në listën e zezë tregtare kompaninë Megaspeed dhe filialin e Alibaba-s në Singapor, Apex Enterprise Solutions, pas kritikave të ligjvënësve dhe zyrtarëve të administratës amerikane.
Megaspeed, partnere e Nvidia-s, është nën hetim që prej vitit 2024, nën dyshimet se ka ndihmuar në transferimin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale drejt Kinës, duke anashkaluar kufizimet amerikane të eksportit.
Kompanive të përfshira në listën e zezë tashmë do t’u duhet një licencë e posaçme për të siguruar teknologji amerikane, miratimi i së cilës ka pak gjasa të jepet.
Megaspeed u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare rreth dy javë më parë, pas zbulimit të marrëdhënies jashtëmartesore të drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, me ish-drejtuesen e Megaspeed, Alice Huang, e cila dyshohet nga autoritetet amerikane për lidhje me shërbimet e inteligjencës kineze. Pekini i ka cilësuar akuzat për spiunazh si të pabaza.
Sipas Financial Times, Megaspeed kishte shfrytëzuar marrëdhëniet tregtare me Alibaba-n për të siguruar statusin e partnerit zyrtar të Nvidia-s në shërbimet cloud.
Në fund të vitit 2024, filiali malajzian i Megaspeed, Speedmatrix, kishte aktive me vlerë rreth 2.14 miliardë dollarë. Një pjesë e këtyre aktiveve shërbente si garanci për financimin e marrë nga Apex.
Alibaba kundërshtoi vendimin e autoriteteve amerikane, duke deklaruar se filiali i saj nuk kishte transferuar çipa në kundërshtim me kufizimet e eksportit dhe se do të ndiqte të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të saj.
Ndërkohë, Nvidia ka krijuar një komitet të posaçëm për mbikëqyrjen e respektimit të rregullave të eksportit dhe administrimin e rreziqeve që lidhen me sigurinë kombëtare.
Vendimi i autoriteteve amerikane përkon me rikthimin e Jensen Huang në krye të Nvidia-s, pas ndërhyrjes së presidentit Donald Trump. Ndërkohë, autoritetet e Singaporit konfirmuan se do të vijojnë hetimet ndaj Megaspeed./ REUTERS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









