Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur orët e para të mëngjesit lagjen Nea Jonia në Athinë, ku shënjestër ka qenë një lokal bar-kafe në pronësi të një shtetasi shqiptar.
Sipas informacioneve të policisë greke, ngjarja është regjistruar rreth orës 04:00. Dy persona dyshohet se kanë vendosur një mekanizëm shpërthyes në pjesën e jashtme të biznesit dhe më pas janë larguar me shpejtësi me një motoçikletë.
Si pasojë e shpërthimit, ambientet e lokalit kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Deri më tani, motivet e sulmit mbeten të paqarta. Megjithatë, dyshimet paraprake të hetuesve lidhen me një rast të mundshëm gjobëvënieje. Policia greke vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.