Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për vdekjen e pesë anëtarëve të së njëjtës familje, të cilët u gjetën pa shenja jete në një apartament në qytetin Kehl, në jugperëndim të Gjermanisë, të hënën.
Dyshimet paraprake të zjarrfikësve janë për një rrjedhje të mundshme të monoksidit të karbonit. Detektorët e gazit u aktivizuan në momentin kur shërbimet e emergjencës hynë në banesë, duke ngritur dyshimet për praninë e këtij gazi vdekjeprurës.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo nëse ngjarja mund të ketë lidhje me një akt kriminal.
Në apartament u gjetën gjithsej shtatë persona: pesë fëmijë të moshës 10 deri në 14 vjeç, babai i tyre 46-vjeçar dhe gjyshja 74-vjeçare. Pesë prej tyre humbën jetën, ndërsa dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, mbijetuan dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Një zëdhënës i Prokurorisë së Offenburgut bëri të ditur se autoritetet do të informojnë publikun nëse hetimet zbulojnë të dhëna të reja.
