Dy viktimat e atentatit të ndodhur një ditë më parë në qytetin e Fierit do të përcillen sot për në banesën e fundit.
Ceremonia mortore për 60-vjeçarin Selami Hasani dhe nipin e tij, 47-vjeçarin Jakup Hasani, do të zhvillohet në të njëjtën orë, në orën 14:00, në varrezat e qytetit.
Sipas Policisë, në momentin e atentatit, të dy viktimat ndodheshin duke punuar në oborrin e banesës së Selami Hasanit, në lagjen “1 Maji”, kur janë qëlluar me armë zjarri nga autorët. Si pasojë e të shtënave, 60-vjeçari humbi jetën në vendngjarje, ndërsa nipi i tij, Jakup Hasani, mbeti i plagosur rëndë.
47-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë natës, duke e çuar në dy numrin e viktimave të atentatit.
Jakup Hasani ishte baba i dy fëmijëve dhe njihej nga të afërmit dhe kolegët si një njeri punëtor. Prej më shumë se katër vitesh ai punonte në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit pranë Bashkisë Fier. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur familjarët dhe kolegët.
Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, pas atentatit autorët janë larguar në drejtim të fshatit Dërmenas. Në zonën e mbikalimit të autostradës ata kanë braktisur automjetin, të cilit më pas i kanë vënë flakën.
60-vjeçari Selami Hasani kishte disa ditë që ishte liruar nga burgu, ku vuante dënimin për vrasje.
Ndërsa familjarët kanë hapur dyert e mortit, sot në orën 14:00, të dy viktimat do të përcillen për në banesën e fundit, në një ceremoni të përbashkët mortore në varrezat e qytetit të Fierit.










