Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kërkoi të hënën që vendet e botës të miratojnë një mekanizëm për të zbutur rreziqet e inteligjencës artificiale. Kërkesën ai e bëri gjatë një konference për këtë teknologji në Barbados, raporton Euronews. Sipas Guterres, shtetet anëtare duhet të koordinojnë përpjekjet dhe të hartojnë brenda një viti një kuadër multilateral për menaxhimin e rreziqeve të inteligjencës artificiale, i bazuar në parime dhe i mbështetur nga mbikëqyrje e pavarur dhe e besueshme.
Ai e bëri thirrjen në samitin special të Bridgetown-it për sigurinë e inteligjencës artificiale, ku theksoi se kjo kërkesë lidhet me nevojën për të shmangur një të ardhme në të cilën “robotët vrasës” do të ishin realitet. Guterres, i cili po i afrohet fundit të mandatit në krye të organizatës ndërkombëtare, është shprehur gjithnjë e më shpesh për domosdoshmërinë e masave të sigurisë në këtë fushë.
Ai vuri në dukje se një pikënisje mund të ishte dakordësia mes vendeve për masa të përbashkëta sigurie, një regjim testimi dhe kërkesa bazë për mbikëqyrje të pavarur.
Rregullimi global mbetet i vështirë Regullimi ndërkombëtar i inteligjencës artificiale duket ende larg, ndërsa fuqitë e mëdha të teknologjisë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kërkojnë epërsi në kërkimin dhe zhvillimin e zbulimeve të reja. Në këtë kontekst, Guterres vlerësoi se institucionet e qeverisjes globale i përgjigjen realitetit të botës së vitit 1945.
“Është e qartë se institucionet duhet të reformohen për t’u përshtatur me realitetet e botës së sotme”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje të AFP-së. Sipas tij, kjo vlen për Kombet e Bashkuara, për arkitekturën financiare ndërkombëtare dhe për sistemin botëror të tregtisë. Në shtator, shefi ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, ai i OpenAI, Sam Altman, dhe kreu i SpaceX, Elon Musk, kërkuan ngadalësimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Të tjerë, si shefi ekzekutiv i Nvidia, Jensen Huang, dhe ai i Meta, Mark Zuckerberg, duan të vazhdojnë me ritme të shpejta. Regullatorët në Shtetet e Bashkuara, ku zhvillimi i kësaj teknologjie ka ecur më shpejt, nuk pritet të ndërhyjnë. Në shtator, presidenti amerikan Donald Trump priti një grup drejtuesish të kompanive teknologjike amerikane, të cilët ranë dakord të respektojnë një kod vullnetar sjelljeje për sigurinë e inteligjencës artificiale.
Guterres tha se do të këshillonte pasardhësin e tij, i cili pritet të marrë detyrën në vitin e ri por ende nuk është zgjedhur, se kontrolli i duhur i inteligjencës artificiale do të ishte i nevojshëm që “njerëzimi të mbajë kontrollin e botës sonë”.
