E ndërtuar rreth klientëve, gati për sfidat e së ardhmes. Fiber Group zgjerohet ndërkombëtarisht

Tre vite radhazi me rritje dyshifrore të të ardhurave dëshmojnë qëndrueshmërinë e modelit të specializuar BPO të Fiber Group. Me një drejtim të dedikuar për tregun amerikan, zgjerimin e kapaciteteve në Europë dhe prezantimin gradual të mjeteve të mbështetura në inteligjencën artificiale, kompania po përgatitet për fazën e ardhshme të rritjes.
Çdo biznes funksionon në mënyrën e vet, me procese, prioritete dhe sfida specifike. Për Fiber Group, njohja e këtyre dallimeve është pikënisja për ndërtimin e partneriteteve efikase në fushën e shërbimeve të kontraktuara nga jashtë (outsourcing).
Kjo filozofi qëndron në themel të modelit të specializuar BPO (Business Process Outsourcing) të kompanisë, i cili ndërthur ekipe me përvojë, fleksibilitet operacional dhe marrëdhënie të afërta me klientët, për të ofruar shërbime të përshtatura sipas nevojave të tyre. Nga kujdesi ndaj klientit deri te operacionet tregtare, Fiber Group synon të integrohet në veprimtarinë e secilit klient dhe të përshtatë mbështetjen e saj në përputhje me ndryshimin e kërkesave.
Ky model ka mbështetur tre vite radhazi rritje dyshifrore të të ardhurave, gjatë periudhës 2023–2025, siç pasqyrohet në pasqyrat financiare të Fiber Group sh.p.k., me seli në Tiranë.
Pas kësaj performance qëndron një ekip i konsoliduar, ekspertiza e të cilit është zhvilluar përmes përvojës afatgjatë dhe investimeve të vazhdueshme në trajnim. Njohja e thelluar e proceseve të klientëve përbën një aset të rëndësishëm në rrugëtimin e mëtejshëm të zgjerimit të kompanisë.
Një qasje e specializuar, me ambicie ndërkombëtare
Për Fiber Group, të qenët një ofrues i specializuar i shërbimeve BPO nuk lidhet me madhësinë e kompanisë, por me mënyrën se si ajo operon. Kjo nënkupton ruajtjen e marrëdhënieve të drejtpërdrejta me klientët, reagimin e shpejtë ndaj kërkesave në ndryshim dhe zhvillimin e zgjidhjeve të ndërtuara mbi nevojat specifike të secilit prej tyre.
Me rritjen e aktivitetit, sfida qëndron në ndërthurjen e këtij modeli të personalizuar shërbimi me strukturën operacionale të nevojshme për të menaxhuar vëllime më të mëdha dhe projekte gjithnjë e më komplekse.
Në vend që të largohet nga identiteti i saj si kompani e specializuar, Fiber Group po investon te njerëzit, proceset dhe infrastruktura e nevojshme për ta ruajtur këtë qasje edhe në një shkallë më të gjerë aktiviteti.
Forcimi i pranisë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë
Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë një treg gjithnjë e më të rëndësishëm në strategjinë e zhvillimit ndërkombëtar të Fiber Group.
Emërimi i një Zëvendëspresidenti të Lartë (Senior Vice President), të dedikuar për tregun amerikan, shënon një tjetër hap në këtë drejtim, duke sjellë një drejtim të fokusuar në zhvillimin e biznesit dhe menaxhimin e marrëdhënieve me klientët.
Objektivi është krijimi i lidhjeve më të afërta me bizneset amerikane, identifikimi i mundësive të reja në fushën e kujdesit ndaj klientit dhe operacioneve tregtare, si dhe forcimi i aftësisë së kompanisë për t’iu përgjigjur kërkesave të këtij tregu.
Edhe në Europë, Fiber Group po zhvillon kapacitetet për ofrimin e shërbimeve të kujdesit ndaj klientit në gjuhën gjermane. Prania e kompanisë në Kosovë pritet të mbështesë ofrimin e shërbimeve në të ardhmen, ndërsa struktura e saj në Itali është gati të nisë operacionet.
Së bashku, këto zhvillime pasqyrojnë një strategji më të gjerë për ndërtimin e kapaciteteve ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht fleksibilitetin dhe afërsinë me klientët, që karakterizojnë modelin e operimit të kompanisë.
Teknologjia në shërbim të njerëzve
Paralelisht me zgjerimin ndërkombëtar, Fiber Group po prezanton në mënyrë të targetuar mjete të mbështetura në inteligjencën artificiale (AI), me synimin për të rritur produktivitetin dhe efikasitetin operacional.
Këto zgjidhje po zbatohen në fusha të përzgjedhura të rekrutimit, proceseve të brendshme të burimeve njerëzore dhe raportimit, si dhe në sigurimin e cilësisë dhe monitorimin operacional në kohë reale për disa prej klientëve.
Fokusi është te përdorimet praktike: reduktimi i aktiviteteve të përsëritura, përmirësimi i aksesit në informacionin operacional dhe krijimi i mundësive që ekipet të përqendrohen më shumë në detyrat që kërkojnë përvojë, gjykim profesional dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë.
Në vend që të zëvendësojë ekspertizën e punonjësve, teknologjia po integrohet në proceset ekzistuese për t’i mbështetur ata dhe për të forcuar cilësinë e shërbimeve.
Për Fiber Group, inovacioni është kështu i lidhur ngushtë me kapacitetet njerëzore, mbi të cilat është ndërtuar veprimtaria e kompanisë.
Ndërtimi i kapitullit të ardhshëm
Tre vite radhazi me rritje të qëndrueshme të të ardhurave i kanë krijuar Fiber Group një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm.
Me një drejtim të dedikuar për tregun amerikan, kapacitete shtesë për ofrimin e shërbimeve në Europë që janë në përgatitje dhe zbatimin në vijim të teknologjive të inteligjencës artificiale, kompania po pozicionohet për t’i shërbyer një baze më të gjerë klientësh ndërkombëtarë.
Drejtimi është i qartë: të rritet pa humbur cilësitë që kanë formësuar deri më sot aktivitetin e saj, duke ndërthurur kapacitetet operacionale, burimet njerëzore me përvojë dhe një qasje të vazhdueshme të orientuar drejt klientit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










