Një alarm u dha në Stamboll pas raportimeve të banorëve për një luan që dyshohej se po lëvizte i lirë në një zonë pyjore të qytetit. Pamjet dhe dëshmitë e qytetarëve shkaktuan shqetësim, duke detyruar autoritetet të nisnin një operacion të gjerë kërkimi për lokalizimin e kafshës.

Ngjarja u raportua mbrëmjen e 22 nëntorit në zonën Uskumruköy, në lagjen Sarıyer, pranë disa ambienteve sportive. Sipas informacioneve paraprake, dyshohej se kafsha ishte arratisur nga një kompleks banesash dhe kishte përfunduar në zonën pyjore.

Menjëherë pas alarmit, në terren u angazhuan forcat e xhandarmërisë, policia, ekipet e mbrojtjes së natyrës, veterinerët dhe shërbimet bashkiake. Operacioni u shtri në pesë zona të ndryshme, ku morën pjesë rreth 70 persona. Për kërkimet u përdorën pesë dronë, përfshirë pajisje me kamera termike, ndërsa ekipet vendosën edhe karrem dhe kamera me sensorë lëvizjeje. Fillimisht, për arsye sigurie, u mbyll për vizitorët edhe një pjesë e pyllit të Beogradit.

Megjithatë, pas kontrolleve të shumta, autoritetet nuk gjetën asnjë gjurmë që të konfirmonte praninë e një luani në zonë.

E vërteta zbulohet nga pamjet filmike
Zhvillimi vendimtar erdhi më 23 nëntor, kur autoritetet shqyrtuan pamje të reja filmike të kafshës, të regjistruara nga kënde të ndryshme. Pas analizimit të tyre, Prefektura e Stambollit njoftoi se kafsha e shfaqur në video nuk ishte as luan dhe as ndonjë specie tjetër e maces së madhe.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet bënë të ditur se operacioni ishte zhvilluar në koordinim me institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e natyrës, por kërkimet nuk kishin prodhuar prova konkrete për praninë e një kafshe të tillë. Pavarësisht këtij sqarimi, Prefektura theksoi se do të vijojë të shqyrtojë çdo informacion të ri dhe të ndërhyjë në rast se shfaqen prova të tjera. Ndërkohë, banorët e zonës u lehtësuan pas përjashtimit të mundësisë që një luan të endej i lirë në qytet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: