E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Festa e Pavarësisë, me qytetarët në rrugë dhe buxhetin e “Jeffetëve”
OP-ED

Festa e Pavarësisë, me qytetarët në rrugë dhe buxhetin e “Jeffetëve”

 

Edhe këtë vit festa e Pavarësisë i gjen shqiptarët jo të lirë sa duhet. 114 vjet pasi Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, vendi qeveriset nga një njeri që e ka kthyer pushtetin në pronë personale. Edi Rama nuk drejton më një qeveri. Ai drejton një sistem ku gjithçka nis dhe mbaron tek ai: parlamenti, administrata, buxheti, madje edhe e vërteta e përditshme që u shitet qytetarëve nga podiumi.

Kjo festë na gjen me dy pamje. E para është lufta brenda kampit të pushtetit, ku ata që kanë menaxhuar fondet publike tani grinden mes tyre se kush të marrë më shumë llokma, madje i hapin dosje në SPAK njëri-tjetrit.

E dyta është një protestë që nuk është ndalur prej 179 ditësh. Për gati gjashtë muaj, qytetarë të zakonshëm kanë dalë në rrugë sepse nuk duan më të heshtin. Kjo ka më shumë kuptim për Pavarësinë se çdo ceremoni zyrtare.

Por ç’qeveri është kjo që krenohet se ka rritur buxhetin duke marrë më shumë para nga xhepat e qytetarëve dhe nga një ekonomi që nuk prodhon asgjë? Që sektori shtetëror, parazitar dhe joefikas, ka tani më shumë para për të shpenzuar për koncesionet dhe për Ron Yeffetin? Apo për t’i përdorur për t’ua ndarë banditëve që do të ndihmojnë në zgjedhjet që po vijnë?!

Në një ekonomi normale, një qeveri normale krenohet me rritjen reale ekonomike, me fuqinë blerëse dhe pagat reale, me uljen e varfërisë dhe me vende pune cilësore. Do të krenohej me produktivitetin, me konkurrueshmërinë dhe me një sektor privat që zgjerohet. Do të krenohej me investime të huaja që sjellin teknologji, fabrika dhe kapacitete të reja prodhuese, dhe jo me servisin e lyerjes së makinave që importojnë nga Turqia Arjeta dhe Roni. Do të krenohej me rritjen e eksporteve dhe me një ekonomi që nuk varet nga dy-tre sektorë.

Krenohet kur ul barrën fiskale, kur formalizon ekonominë dhe kur shkurton burokracinë. Krenohet me shërbime publike që funksionojnë, me shkolla dhe spitale ku nuk ke nevojë për mik apo zarf, me infrastrukturë që sjell zhvillim e jo vetëm tendera që kontrollohen nga disa persona dhe nga bandat. Mbi të gjitha, krenohet kur të rinjtë nuk ikin dhe kur ata që ikën nisin të kthehen.

Madhësia e buxhetit nuk tregon suksesin e një ekonomie. Tregon vetëm sa para ka në dorë autokrati Rama për t’i bërë “rrush e kumbulla”.

Qeveria e Ramës nuk jep shërbime më të mira me më pak shpenzime dhe nuk ul taksat që t’u lërë më shumë para qytetarëve e bizneseve.

SPAK ka nën hetim ose ka dërguar në gjykim zyrtarë të nivelit më të lartë për akuza që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e fondeve publike. Kur paratë e publikut kanë përfunduar aty ku nuk duhej, Edi Rama ka më shumë para në duart e tij, dhe ky është lajmi më i keq. Do t’u japë një kockë bonusi pensionistëve për votat e majit. Do të mbyllë vrimat e koncesioneve, që tani duket se janë bërë më keq se kur i kontrollonte Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj me “baxhanakun”. Tani do t’i ketë nën urdhër vetë mbreti dhe do t’i mbyllë me telefon.

Mbreti ynë e mat suksesin e qeverisë me sa para u merr qytetarëve për t’i futur në thesin e vet. Në fakt, qytetarëve dhe pensionistëve u mbetet “nocrroku” dhe më pak para në xhep. Ekonomia krijon më pak pasuri dhe shqiptarët do të jetojnë më keq se një vit më parë.

Ky përvjetor i Pavarësisë i gjen qytetarët të varfër dhe pa shpresë, ndërsa zot në shtëpinë e tyre janë kasta e hajdutëve, Yeffetët, një dorë oligarkësh dhe bandat.

Këtë 28 Nëntor do të festohet me protestën e qytetarëve dhe studentëve, që vijon prej 178 ditësh. Këta protestues po na kujtojnë se shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve, jo hajdutëve që po hanë kokat e njëri-tjetrit për plaçkën që e quajnë të tyren, por që në fakt është buxheti i të gjithëve. Është i opozitës së vjetër dhe të re, i mbi 700 mijë pensionistëve që do të kenë një banane më shumë vitin tjetër. Policët e “dajakut” do të hanë mish e oriz e do të kënaqen, 180 mijë punonjësit e administratës do të kenë siguruar gjelin me jufka për festa, dhe mbreti me shpurën e tij e ka hak një verë “Domaine de la Romanée-Conti”. Është bërë telef mbreti. Ai duket më i lodhur se kurrë.

Gëzuar festën e Pavarësisë, Shqipëri me protestues, dhe paç guximin ta meritosh!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.