Shenjat e infarktit dhe goditjes në tru mund të shfaqen deri në 30 vjet më herët, zbulon studimi
Studimi zbulon se tensioni i lartë i gjakut, diabeti dhe faktorë të tjerë shëndetësorë mund të paralajmërojnë rrezikun e infarktit dhe goditjes në tru shumë vite përpara se ato të ndodhin.
Shenjat paralajmëruese të një infarkti apo goditjeje në tru mund të shfaqen deri në 30 vjet përpara se të ndodhë ngjarja, sipas një studimi të ri shkencor të publikuar në revistën prestigjioze “JAMA Network Open”.
Studiuesit nga Universiteti i Edinburgut analizuan të dhënat shëndetësore të 113.612 personave, duke ndjekur ndryshimet në faktorët e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare gjatë një periudhe prej 34 vjetësh.
Rezultatet treguan se personat që më vonë përjetuan infarkt, goditje në tru apo vdiqën nga sëmundjet kardiovaskulare kishin dallime të dukshme në disa tregues shëndetësorë shumë vite përpara ngjarjes.
Ndër faktorët kryesorë të identifikuar ishte tensioni i lartë i gjakut, por edhe diabeti, funksioni i veshkave, pesha trupore dhe niveli i aktivitetit fizik.
Studiuesit vunë re gjithashtu ndryshime në disa biomarkues të gjakut, të cilat mund të dalloheshin deri në një dekadë përpara shfaqjes së problemeve serioze kardiovaskulare.
Sipas ekspertëve, këto rezultate tregojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe identifikimit të hershëm të faktorëve të rrezikut.
Zbulimet mund t'u ndihmojnë mjekëve të identifikojnë më herët personat që kanë rrezik më të lartë dhe të ndërhyjnë përmes trajtimit dhe ndryshimeve në stilin e jetesës.















