Schweinsteiger mahnitet nga Brajan Gruda: Është lojtar i nivelit botëror
Brajan Gruda vazhdon të marrë vlerësime të jashtëzakonshme në Gjermani. Këtë herë, fjalët më të mëdha për talentin me origjinë shqiptare kanë ardhur nga një prej legjendave të futbollit gjerman, Bastian Schweinsteiger.
Ish-kapiteni i Gjermanisë, gjatë një prononcimi për televizionin gjerman ARD, nuk i ka kursyer elozhet për 22-vjeçarin, duke e renditur mes futbollistëve që mund të bëjnë diferencën në fushën e lojës.
“Është një ëndërr të kesh në skuadër futbollistë si Wirtz, Scherhant apo Gruda. Ata janë lojtarë që bëjnë diferencën. Gruda është i nivelit botëror”, u shpreh Schweinsteiger.
Vlerësimi vjen pas paraqitjeve mbresëlënëse të Grudës me përfaqësuesen gjermane. Në fitoren spektakolare 5-0 ndaj Holandës, më 16 nëntor, sulmuesi shqiptar realizoi një gol dhe kontribuoi me një asistim, duke tërhequr edhe më shumë vëmendjen e opinionit sportiv.
I dalë nga futbolli gjerman dhe me origjinë nga Shkodra, Gruda po dëshmon se ka potencialin për t’u shndërruar në një emër të rëndësishëm të futbollit europian.
Fjalët e Schweinsteigerit janë një tjetër konfirmim i talentit të tij dhe një kompliment i madh për futbollistin me rrënjë shqiptare, i cili tashmë po fiton respektin e emrave të mëdhenj të futbollit botëror.




