Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, ka paralajmëruar Arsenalin përpara përballjes së shumëpritur në Champions League, duke theksuar se skuadra e tij ka cilësinë e nevojshme për t’i shkaktuar probleme kryesuesve të Premier League. Dueli në “Emirates” vë përballë dy ekipet që aktualisht po diktojnë ritmin në Gjermani dhe në Angli.
Kovac theksoi besimin që mbizotëron te lojtarët e tij për këtë sfidë të vështirë në Londër, sipas Telesportit, që raportoi deklaratat e trajnerit kroat të hënën, përpara nisjes së skuadrës drejt kryeqytetit anglez. Ai e pranoi se misioni nuk është i lehtë, por nuk e shfaqi veten si të dorëzuar përpara ndeshjes.
“Sigurisht, jemi plotësisht të vetëdijshëm se sa i vështirë është ky mision. Por, edhe ne jemi një kundërshtar i vështirë dhe do t’i kemi mundësitë tona. Kemi cilësinë për të marrë atë që duam, pra, pikët,” deklaroi Kovac.
Për ta arritur këtë, ai kërkoi nga lojtarët të luajnë ndeshjen e tyre më të mirë, si me topin ashtu edhe pa të, sepse Arsenali ka lojtarë vërtet të shkëlqyer. Trajneri i Dortmundit beson se sulmuesit e tij kanë kreativitetin e mjaftueshëm për të gjetur rrugën drejt golit. Për këtë arsye, ai e konsideron pak të mundshëm një barazim pa gola, duke pasur parasysh talentin e madh sulmues që zotërojnë të dyja skuadrat.
“Nuk besoj se ndeshja do të përfundojë 0–0, sepse të dyja skuadrat kanë cilësi të mjaftueshme për të shënuar gola dhe për të krijuar raste,” shtoi ai. Kovac nuk kurseu fjalët e mira as për kundërshtarin, të cilin e vlerësoi si një ekip shumë, shumë të mirë. Sipas tij, fakti që Arsenali fiton kampionatin anglez me gjithë ata lojtarë të nivelit të lartë tregon se është i aftë për diçka të madhe dhe për shumë, shumë gjëra të tjera.
Në aspektin taktik, trajneri i Dortmundit theksoi nevojën për të gjetur ekuilibrin e duhur midis disiplinës në mbrojtje dhe kontrollit të lojës me topin.
Rikthimi i Guirassy dhe Chukwuemeka Shpresat e Dortmundit janë forcuar ndjeshëm falë rikthimit të dy lojtarëve kyç, Serhou Guirassy dhe Carney Chukwuemeka. Të dy morën pjesë në seancën e fundit stërvitore të hënën në qendrën “Brackel”, përpara se skuadra të nisej drejt Londrës. Kovac konfirmoi se ata janë të gatshëm për ndeshjen, por nuk zbuloi detaje taktike lidhur me formacionin titullar. “Ata janë gati për ndeshjen e sotme, prandaj janë pjesë e skuadrës. Janë plotësisht të gatshëm për të luajtur. Nëse do ta nisin nga minuta e parë apo do të hyjnë më vonë, këtë do ta shohim sot,” u shpreh trajneri. Me këtë deklaratë, ai i la të hapura të gjitha opsionet për përbërjen e ekipit në “Emirates”.
