Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Erzen Breçani, i cili akuzohej për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit në dosjen “Metamorfoza”. Edhe Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar pushimin e çështjes.
Çështja ndaj Breçanit lidhej me dyshimet se kishte pastruar paratë e grupit kriminal të Ervion Matës përmes investimit në hidrocentrale në Valbonë, si dhe me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.
Dosja ndaj tij u nda nga procesi në Gjykatën e Posaçme në shkurt të vitit 2025, kur kjo e fundit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen Gjykatës së Tiranës, me argumentin se akuzat ndaj ish-funksionarit të Policisë nuk përfshiheshin në kompetencën e saj.
Gjatë procesit, Breçani i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se paratë për ndërtimin e hidrocentralit i kishte marrë hua nga vëllai i tij, i cili prej 25 vitesh merret me biznes.
Ndërkohë, djali i tij, i akuzuar për trafikimin e 446 kilogramëve kokainë, ndodhet në qeli. Ai ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2023, ndërsa pas rreth tre vitesh u vetëdorëzua në Spanjë dhe më pas u ekstradua në Shqipëri.
Dosja “Metamorfoza” është ndarë në disa fraksione. Në njërin prej tyre kanë kaluar për gjykim ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni, Adrian Cenaj, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Ismail Zeneli dhe Albert Prenga. Ndërsa nga ky proces janë ndarë personat që vijojnë të jenë në kërkim, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova.
Të pandehurit e dosjes përballen me akuza për trafik droge në disa episode, sigurim të kushteve për vrasje, armëmbajtje pa leje, pastrim parash, grup të strukturuar kriminal dhe nxjerrje të sekretit hetimor.a.b



