Bota

“Po afrohen avionë rusë”, alarm i rrallë në Korenë e Jugut!

Autoritetet e Koresë së Jugut lëshuan alarm të rrallë për banorët e ishullit Ulleung, duke iu kërkuar të strehoheshin për shkak të afrimit të avionëve ushtarakë rusë pranë hapësirës ajrore të vendit. Forcat ajrore koreano-jugore ngritën në fluturim avionë luftarakë.

Alarmi u dha në orën 07:52, që rreth 8 mijë e 700 banorë të kërkonin strehim në ambiente të sigurta, mundësisht në bunkerë nëntokësorë. Në mesazhin në anglisht, paralajmërimi shfaqej me formulimin:

EVAKUIM, SULM AJROR!

Sirena u dëgjuan në ishull dhe transmetimet televizive u ndërprenë për të përcjellë udhëzimet e autoriteteve. Paralajmërimi u hoq vetëm tre minuta më vonë, në orën 07:55, kur avionët rusë u larguan nga zona.

Sipas autoriteteve ushtarake, avionët rusë kishin hyrë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut (KADIZ), mbi Detin e Japonisë.

Forcat ajrore koreano-jugore ngritën avionë luftarakë për të monitoruar lëvizjet e tyre dhe parandaluar çdo incident.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se do të thërriste atasheun ushtarak rus në Seul për t’i dorëzuar protestë të fortë diplomatike.

Hera e katërt brenda vitit që avionë ushtarakë rusë hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut dhe e dyta në një javë.

Zona nuk përbën hapësirë ajrore sovrane të shtetit, por shërben si perimetër sigurie për identifikimin e hershëm të avionëve që afrohen drejt territorit kombëtar.

Hyrja pa njoftim paraprak, jo automatikisht përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Moska nuk e njeh autoritetin e Seulit mbi zonë dhe argumenton se nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare. Aty shkelin edhe avionë kinezë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.