Mazhoranca socialiste ka zbritur në 81 deputetë pas largimit të Marjana Koçekut nga grupi parlamentar dhe vendimit për përjashtimin e Elisa Spiropalit. Zhvillimi i fundit ndryshon raportet e forcave në Parlament, pasi Partia Socialiste nuk mund të sigurojë më e vetme shumicën e cilësuar prej 84 votash, e nevojshme për miratimin e disa vendimeve dhe akteve të rëndësishme.

Në këto kushte, votat e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, e cila ka tre deputetë, marrin një peshë të veçantë për mazhorancën. Nëse socialistët do të kërkojnë të sigurojnë 84 votat, mbështetja e PSD-së do të jetë vendimtare për arritjen e këtij pragu.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste fitoi 83 mandate. Por numri i deputetëve që bëjnë pjesë në grupin parlamentar socialist është reduktuar fillimisht pas largimit të Marjana Koçekut dhe tashmë edhe pas vendimit për Elisa Spiropalin.

Ndërkohë, largimi i Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar vjen pas përplasjeve të fundit me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama kërkoi largimin e Spiropalit dhe avokatit Plarent Ndreca nga strukturat drejtuese të partisë. Kërkesa hasi kundërshtinë e disa figurave socialiste, mes tyre Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko, të cilët kërkuan që ndaj tyre të merreshin masa, por jo përjashtimi.

Në përfundim të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi se Spiropali dhe Ndreca nuk do të ishin më pjesë e forumeve drejtuese, por do të mbeteshin anëtarë të Partisë Socialiste.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb