Mitropoliti i Korçës, Anastasi është përfshirë në një polemikë me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas një postimi për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ligjvënësi socialist ndau një skenë nga filmi shqiptar “Kush vdes në këmbë”, kushtuar Petro Nini Luarasit, mësuesit që hapi shkolla shqipe në Kolonjë dhe mbrojti përdorimin e gjuhës amtare edhe në kishë.

“Përderisa në shtëpi flasim shqip, përderisa kemi gjuhën tonë, shkronjat tona, përse të falemi greqisht në kishë?”, thuhet në një pasazh të filmit.

Pikërisht kjo skenë solli reagimin e Mitropolitit të Korçës. Anastasi e cilësoi filmin një prodhim të realizmit socialist dhe e akuzoi Ballën se po përdorte Ditën e Alfabetit për t’u paraqitur si patriot.

“Kur nëpërmjet shpopullimit, bën çdo gjë që Shqipëria të flasë çdo gjuhë, përveç shqipes, dhe puna ta do të bësh patriotin në ditë feste. Nuk i përdhosni dot klerikët ortodoksë me filma të realizmit socialist, z. Balla”, shkruan Mitropoliti i Korçës.

Në fund të shekullit XIX, Petro Nini Luarasi drejtoi bashkë me Thanas Sinën Mësonjëtoren Shqipe të Korçës. Ai hapi shkolla shqipe në Ersekë dhe në disa fshatra të Kolonjës, përgatiti mësues që të jepnin mësim në gjuhën amtare dhe e përdori shqipen edhe në predikimet në kishë.

Hapja e shkollave shqipe e vuri Luarasin përballë klerit ortodoks grek të kohës. Në vitin 1892, mitropoliti grek i Kosturit, Filareti e shkishëroi bashkë me fëmijët e tij. Përmes një qarkoreje, Filareti u kërkoi besimtarëve ortodoksë të Kolonjës të ndërprisnin lidhjet me Luarasin. Ai e akuzoi mësuesin se përhapte protestantizmin dhe masonerinë, dënoi punën e tij për shkollat shqipe dhe pretendoi se gjuha shqipe “nuk ekzistonte”.

Luarasi vijoi punën për përhapjen e shqipes dhe mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe. Në vitin 1911 botoi në Manastir veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe ç’përfolja e shqiptarëve”, ku iu përgjigj sulmeve të klerit dhe mbrojti të drejtën e shqiptarëve për të mësuar e shkruar në gjuhën e tyre.