Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të garantuar kryerjen e operacionit në këmbë në një spital dhe mjek të zgjedhur nga familja e tij.
Gjatë seancës gjyqësore, është lexuar deklarata e Veliajt, i cili ka shpjeguar se nuk mund të jetë fizikisht i pranishëm për shkak të dëmtimit të këmbës dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale.
“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore”, thuhet në deklaratë.
Veliaj kundërshton mënyrën se si po trajtohet çështja e ndërhyrjes kirurgjikale, duke kërkuar që të mos u lihet personave të tjerë në dorë vendimmarrja për trajtimin dhe anestezinë.
“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, është shprehur Veliaj.













