Atentati ndaj Sel Çamit dhe nipit të tij në Fier/ Dyshohet se autorët përdorën dron dhe uniforma policie

Atentati ndaj Sel Çamit dhe nipit të tij në Fier/ Dyshohet se autorët përdorën dron dhe uniforma policie

11:06, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fieri vijon të jetë i tronditur nga atentati me armë zjarri që u mori jetën Selami Hasanit dhe nipit të tij, Jakup Hasani. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, 23 nentor, në oborrin e banesës së familjes Hasani, në lagjen “1 Maji”, ndërsa tashmë konfirmohet se të dy personat e plagosur kanë ndërruar jetë.

Selami Hasani, 60 vjeç, është qëlluar me 7 plumba, duke gjetur vdekjen në vendngjarje. Ndërsa nipi i tij, Jakup Hasani, 47 vjeç, ka marrë tre plumba, dy në bark dhe një në nofull. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ai nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rreth mesnatës në spital.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e atentatit vijojnë intensivisht. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se në ngjarje kanë marrë pjesë dy persona që kanë lëvizur me një automjet. Njëri prej tyre dyshohet se ka pritur në makinë, ndërsa tjetri ka zbritur dhe ka qëlluar ndaj Selami Hasanit pranë murit rrethues të banesës. Autorët dyshohet se kanë përdorur një armë me silenciator.

Një tjetër pistë e rëndësishme për hetuesit është gjurmimi i automjetit të përdorur nga autorët. Sipas të dhënave paraprake, automjeti i dyshuar është djegur rreth 30 minuta pas atentatit, në afërsi të rrethrrotullimit të Apolonisë. Dyshohet se autorët janë larguar më pas me një automjet tjetër. Në makinë policia gjeti 2 pistoleta ku njëra ishte me silenciator.

Grupi hetimor ka verifikuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Deri në këto momente, nga pamjet e shqyrtuara është evidentuar prania e një automjeti tip Volvo, por nuk janë identifikuar autorët dhe lëvizjet e tyre në momentin e kryerjes së atentatit.

Sipas burimeve konfidenciale mësohet se atentatorët kanë përdorur dron dhe uniforma policie.

Ndërkohë, 16 persona janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Fierit për t'u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Hetuesit po vijojnë mbledhjen e provave dhe administrimin e pamjeve filmike, me qëllim identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia ushtroi kontroll edhe në banesën e Arben Isufit por nuk gjeti gjë.

Sot, në orën 14:00, Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani, do të përcillen për në banesën e fundit. Ceremonia mortore do të zhvillohet në varrezat e qytetit të Fierit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco