Elisa Spiropali nuk do të jetë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Deputetët socialistë kanë konfirmuar vendimin e kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të PS-së, Edi Rama, për largimin e ish-kryetares së Kuvendit nga grupi parlamentar.
Gjatë votimit, dy deputetë socialistë, Erion Braçe dhe Bledi Çuçi, kanë abstenuar.
Vendimi vjen pas disa ditësh paqartësie për statusin e Spiropalit brenda Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Rama kërkoi largimin e saj dhe të avokatit Plarent Ndreca nga forumet drejtuese dhe strukturat e partisë.
Kërkesa e kryeministrit hasi kundërshti brenda mbledhjes. Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko dolën kundër përjashtimit, duke kërkuar që ndaj Spiropalit dhe Ndrecës të merreshin masa, por pa i larguar nga partia.
Në përfundim të Asamblesë, kërkesa nuk u hodh në votim, duke lënë të paqartë statusin e tyre. Më pas, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi publikisht se të dy nuk do të ishin më pjesë e forumeve drejtuese, por do të vijonin të mbeteshin anëtarë të partisë.
Më 21 nëntor, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama iu referua sërish Spiropalit dhe Ndrecës, duke deklaruar se ata nuk kishin më vend në familjen politike socialiste. “Të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, u shpreh kryeministri, duke paralajmëruar se nuk do të kishte tolerim për ata që, sipas tij, nuk respektonin detyrimet ndaj partisë.
Ndërkohë, Spiropali ka reaguar përmes mesazheve publike, duke lënë të kuptohet se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj. Pas zhvillimeve të fundit, ajo përdori edhe shprehjen: “Sikur ma prenë kokën, por më dalin shtatë të tjera”.
Pas vetëlargimit të deputetes Marjana Koçeku nga Grupi Parlamentar i PS-së dhe vendimit për Spiropalin, mazhoranca ka tashmë 81 deputetë në Kuvend.