Gjobat e shkruara në letër do të jenë tashmë do t’i përkasin së shkuarës pasi do të kalojnë në format dixhital, të identifikueshëm dhe të gjurmueshëm.
Kryeministri Edi Rama shpjegoi se për çdo shkelje, qytetarët do të njoftohen përmes e-Albania. Aty mund edhe të konsultohen, paguajnë apo ankimojnë gjobën në rrugë krejt të drejtpërdrejtë.
“Besoj që është një tjetër stacion i rëndësishëm në rrugën e transformimit dhe të modernizimit të administratës, por dhe të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me qytetarin, sepse më në fund krijohen të gjitha premisat që të mbyllet një epokë e gjatë e gjobave të vendosura mbi copa letre, të shkruara nganjëherë edhe në mënyrë të palexueshme .Ndërkohë që të gjitha institucionet që ju drejtoni, mund tani të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell në radhë të parë njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës “e-Albania”, e cila njëkohësisht çon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë tek mesazhet e tij në “e-Albania” gjobat që ka.
Po ashtu janë edhe kategorizimet e gjobave në databazë, që janë shumë të rëndësishme qoftë për institucionet, qoftë për Inspektoratin e Përgjithshëm për të parë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, në gjoba të paguara, në gjoba të apeluara. Ndërkohë do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund, po ashtu, të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ajo që besoj është e rëndësishme të nënvizohet, është që nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e njëjtë, një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, gjë që i jep mundësi për institucionet dhe për drejtuesit e institucioneve që të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe po ashtu edhe sjelljen e të gjitha burimeve të tyre njerëzore”, tha Rama.
Ky hap përgatit terrenin për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Gjobave dhe pajisjen me kamera trupi të policisë për të vlerësuar drejt situatat.
“Sigurisht që hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave që praktikisht përmbyll një proces jo të lehtë për hir të vërtetës, sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu dhe dua të shtoj që së shpejti do të fillojë dhe zbatimi i atij projektit që kemi bërë publik, për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera. Kamera trupi, të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe të cilat do të jenë po ashtu pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi, tanimë, ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet e gjithë vija e sjelljes së çdo punonjësi të Policisë dhe çdo inspektori në raport me qytetarin dhe të vlerësohen në kohë reale edhe situatat kur është nevoja për mbështetje, kur është nevoja për ndihmë dhe kështu me radhë.
Kryeministri përmbylli se dixhitalizimi i gjobave do të përmirësojë marrëdhënien e administratës me qytetarin dhe krijon kushte të reja për të vlerësuar performancën e punonjësve.











Komente
Komento