Një flamur, një ëndërr, një histori! Nelson Hysa gati për duelin e jetës
Ka nisur numërimi mbrapsht për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e boksit shqiptar. Nelson Hysa ka hyrë në javën vendimtare përpara duelit të madh me kampionin gjerman Agit Kabayel, që do të zhvillohet më 28 nëntor 2026 në Düsseldorf të Gjermanisë.
Boksieri shqiptar do të ketë përballë një nga emrat më të fortë të peshave të rënda në botë, në një sfidë ku është në lojë titulli botëror WBC. Për Hysën, kjo është mundësia më e madhe e karrierës për të shkruar historinë dhe për t’i dhuruar Shqipërisë një titull botëror në boksin profesionist.
Përballja do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena, në një event të organizuar nga Queensberry Promotions dhe që do të transmetohet drejtpërdrejt në DAZN.
Kabayel vjen në këtë përballje si kampion i botës në WBC, ndërsa Hysa si sfidues i pamposhtur, me një statistikë mbresëlënëse prej 23 fitoresh me nokaut në 25 ndeshje.
28 Nëntori, një datë me simbolikë të veçantë
Kjo përballje merr një rëndësi edhe më të madhe për faktin se zhvillohet pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Një datë që për çdo shqiptar përfaqëson krenarinë, identitetin dhe flamurin kuqezi.
Përmes një mesazhi drejtuar mbështetësve, Hysa ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e marrë dhe ka dhënë sinjalin se është gati për sfidën e jetës:
“Edhe pak ditë na ndajnë nga momenti historik. Një ëndërr, një flamur, një histori që duam ta shkruajmë së bashku! Faleminderit për gjithë mbështetjen. Tani është koha të bëjmë histori për Shqipërinë!”
Shqiptari ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve kuqezi në Düsseldorf, duke shpresuar që arena të vishet me ngjyrat e flamurit shqiptar.




