Foto: Makina e autorëve
Kamerat e sigurisë kanë filmuar makinën që dyshohet se kanë përdorur autorët për ekzekutimin e Selami Hasanit alias “Sel Çamit” dhe nipit të tij, Jakup Hasani.
Makina e vjedhur, “Volvo” e bardhë e cila i priste qitësit në rrugë, u gjet në flakë tek rrethrrotullimi i “Pojanit”, në autostradën Fier–Vlorë pak minuta pas atentatit që u shënua paraditen e djeshme, 23 nëntor, në oborrin e banesës së Selami Hasanit në lagjen nr 1 të Fierit. Brenda makinës u gjetën edhe 2 armë zjarri, njëra prej të cilave me silenciator.
Pasi dogjën volvon autorët dyshohet se u larguan në drejtim të Vlorës.
Selami Hasani ndërroi jetë në momentin e atentatit, ndërsa Jakup Hasani. 47 vjeçari ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin rajonal të Fierit.
Një seri pamjesh filmike janë sekuestruar dhe tashmë po analizohen nga policia kriminale. Në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë disa persona ndërsa nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, pranë banesës së “Sel Çamit” dallohen dy persona, të maskuar me kapuça të zinj në kokë dhe rroba të zeza.
Ngjarja, thuajse ka të njëjtën dinamikë kriminale si rasti i vrasjes së Gentjan Bejtja në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ku një skuadër kriminale nga Laçi dhe Vlora, kanë hyrë brenda në oborrin e shtëpisë, duke qëlluar mbi Gentjan Bejtjan teksa ai po punonte domatet brenda në serë.
Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje më shumë se 16 persona të fisit Isufaj dhe rrethit shoqëror, përfshirë dhe disa nga komshinjtë e dy viktimave Jakup dhe Selami Hasanit.
Mësohet se Selami Hasani, kishte vetëm 1 javë që ishte liruar nga burgu i Fierit, ku kishte vuajtur një dënim prej 25 vite burgim lidhur me vrasjen e Julian Isufaj nipit të “Ben Qimes”, kambistit Esat Tare plagosi dy persona të tjerë kalimtarë të rastit, Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2002.
Njëri nga vëllezërit e Hasanit ii ka orientuar oficerët e policisë rreth emrit të Arben Isufaj alias “Ben Qimes”, për të cilin ka treguar se kanë pasur konflikte të vazhdueshme hasmërie prej disa vitesh.

© SYRI.net