Pasditen e së enjtes në Beograd do të hidhet shorti i Kampionatit Evropian të U21, që do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik të vitit të ardhshëm. Kombëtarja shqiptare do të jetë në fazën finale si skuadra e një prej vendeve organizatore së bashku me Serbinë dhe 14 ekipe të tjera, në total 16 skuadra.
Të 16 ekipet janë ndarë në katër vazo me nga katër skuadra, sipas klasifikimit të koefiçentëve të UEFA për kombëtaret U21. Vazo 1 përmban Spanjën, Gjermaninë, Anglinë dhe Portugalinë. Vazo 2 përfshin Francën, Italinë, Holandën dhe Kroacinë. Në Vazon 3 janë Polonia, Greqia, Finlanda dhe Norvegjia. Vazo 4 përmban Belgjikën, Çekinë, Serbinë dhe Shqipërinë.
Kombëtarja shqiptare do të jetë në pozicionin B1, ndërsa A1 i takon Serbisë, vendit tjetër organizator. Në fazën e parë, të katër grupet do të përbëhen nga nga katër skuadra. Dy ekipet e para të çdo grupi do të kualifikohen në çerekfinale, dhe më pas do të vijojnë gjysmëfinalet dhe finalja.
Skema e çerekfinaleve parashikon përballjet në këtë mënyrë: fituesja e Grupit A do të luajë me ekipin që përfundon i dyti në Grupin C, ndërsa fituesja e Grupit C do të përballet me vendin e dytë të Grupit A. Për Grupet B dhe D, fituesja e Grupit B do të luajë me të dytën e Grupit D, dhe fituesja e Grupit D do të përballet me të dytën e Grupit B.
Ndeshjet e UEFA EURO U-21 2027 do të zhvillohen në tetë stadiume, katër prej të cilave ndodhen në Shqipëri. Stadiumet shqiptare që do të presin takimet janë “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër. Turneu nis më 16 qershor dhe përmbyllet më 3 korrik, me Shqipërinë në rolin e një prej vendeve pritëse.
