Shefi i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca do të mbrohet kundër çdo kërcënimi në hapësirë, pas njoftimeve se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore. Sipas mediave gjermane, këtë muaj janë shpërndarë mes vendeve anëtare të NATO-s raporte të inteligjencës lidhur me një lëshim të mundshëm që mund të ndodhë brenda 60 ditëve të ardhshme. Nuk është bërë e qartë se cili vend i ka hartuar këto raporte. I pyetur për këto njoftime, Rutte u shpreh: "Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s; kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në lidhje me hapësirën."