Ahmeti i kërkon Shasivarit të zbatojë ligjin: Jurisprudenca të jepet edhe në shqip

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka dërguar një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, ku ngre shqetësimin për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Ahmeti i kërkon ministrit që ta zbatojë ligjin pa kërkuar zgjidhje alternative. Ai nënvizon se bëhet fjalë për një akt ligjor në fuqi, zbatimi i të cilit nuk mund t’i lihet vullnetit apo disponimit të përditshëm të pushtetarëve.

Të lidhura

None found

Më poshtë është letra e plotë e Ahmetit drejtuar Shasivarit:

LETËR E HAPUR

Drejtuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari

I nderuar ministër Shasivari,

Po ju drejtohem publikisht për një çështje që shkon përtej mospajtimeve politike dhe institucionale. Ajo nuk mund të kufizohet me interpretime ligjore, të cilat, me vetëdije apo jo, keni prirje t’i veçoni e t’ua ngushtoni fushën e veprimit.

Çështja ka të bëjë me të drejtat gjuhësore të shqiptarëve, respektimin e rendit juridik në vend dhe zbatimin e një të drejte të arritur përmes sakrificave, rezistencës politike dhe përpjekjeve institucionale.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve u miratua në vitin 2018 dhe hyri në fuqi në vitin 2019. Ai shënon një arritje të rëndësishme në garantimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, në pajtim me Amendamentin V të Kushtetutës dhe Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, prej nga buron kjo e drejtë dhe me të cilën është e lidhur. Marrëveshja e Ohrit shënoi një kthesë dhe u bë gurthemel për përfshirjen juridike e institucionale të shqiptarëve në vend. Miratimi i ligjit erdhi pas një procesi të gjatë politik, të shoqëruar me kundërshtim të vazhdueshëm nga qarqe të caktuara politike maqedonase.

Ky nuk është një akt simbolik dhe as dokument që mund të zbatohet ose jo, sipas qëndrimit të përditshëm të bartësve të pushtetit. Ligji është në fuqi dhe përcakton detyrime të qarta për institucionet shtetërore. Shteti ka pasur dhe vazhdon të ketë përgjegjësinë të krijojë kushtet për zbatimin e plotë të tij, përfshirë kapacitetet institucionale, burimet njerëzore e financiare dhe mekanizmat funksionalë të mbikëqyrjes.

Gjatë më shumë se dy vjetëve të kësaj qeverisjeje, për fat të keq, është vënë re një prirje shqetësuese për ngushtimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, sidomos atyre gjuhësore. Dobësimi i pozitës juridike dhe institucionale të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, përmes heqjes së statusit të personit juridik, dhe lënia në margjina e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, dëshmojnë për këtë qasje kufizuese brenda sistemit.

Në këtë situatë, mënyra si trajtohet provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera shtetërore profesionale në gjuhën shqipe është shndërruar në një sprovë serioze për respektimin e ligjit dhe barazinë e qytetarëve.

Zoti ministër, nuk ekziston paqartësi ligjore që mund të përdoret për të arsyetuar mohimin e kësaj të drejte.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e përcakton qartë këtë çështje.

Sipas nenit 1, paragrafit 3, shqipja dhe alfabeti i saj, krahas maqedonishtes dhe alfabetit të saj, janë gjuhë zyrtare në institucionet qendrore, agjencitë, drejtoritë, komisionet dhe institucionet e tjera të përcaktuara me ligj. Kjo përfshin edhe Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 2 u njeh të gjithë qytetarëve të drejtën të përdorin cilëndo gjuhë zyrtare dhe alfabetin përkatës në çdo procedurë pranë institucioneve shtetërore. Institucionet, nga ana e tyre, janë të detyruara të mundësojnë që procedurat të zhvillohen në gjuhën e zgjedhur.

Detyrimi specifikohet më tej në nenin 6, paragrafi 1. Sipas tij, institucionet duhet të sigurojnë, sipas detyrës zyrtare, përdorimin e gjuhës zyrtare, komunikimin dhe zhvillimin e procedurave në gjuhën që e flet së paku 20 për qind e qytetarëve, kur ajo përdoret nga personi ose pjesëmarrësi në procedurë.

Neni 23, paragrafët 4 dhe 5, kërkon që dispozitat gjuhësore në ligjet e tjera të harmonizohen me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në rast se ato nuk përputhen, organet janë të detyruara të zbatojnë këtë ligj.

Kemi, pra, një përcaktim ligjor të qartë, i cili përputhet edhe me parimin juridik lex specialis derogat legi generali. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është akti i posaçëm për çështjet gjuhësore dhe, kur rregullon të njëjtën fushë si ligje të tjera, dispozitat e tij kanë përparësi në zbatim.

Po e përsëris qartë: provimi i jurisprudencës duhet të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Çdo masë që kufizon ose kushtëzon përdorimin e shqipes në këtë provim bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Kur e drejta dhe detyrimi janë të përcaktuara qartë, nuk ka vend për interpretime politike apo j juridike, improvizime institucionale dhe zgjidhje të pjesshme.

Duhet theksuar edhe se provimi i jurisprudencës është vlerësim i njohurive profesionale juridike, jo provim për zotërimin e maqedonishtes. Studentët shqiptarë, të cilët kanë kryer studimet juridike në shqip në universitete të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk duhet të trajtohen në mënyrë të pabarabartë kur kërkojnë të hyjnë në provimin profesional. Njohuritë në maqedonisht mund të vlerësohen me mekanizma të posaçëm të certifikimit gjuhësor, por nuk mund të kthehen në pengesë për ushtrimin e një të drejte të garantuar ligjërisht.

Këtë qëndrim nuk e mbajmë vetëm ne, si Bashkim Demokratik për Integrim, që kemi mbajtur përgjegjësi politike dhe institucionale për miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Shkeljen e ligjit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve për t’i dhënë në shqip provimin e jurisprudencës dhe provime të tjera e ka evidentuar edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Ky vlerësim i një organi institucional duhej të shërbente për të ndrequr shkeljen, jo për të kërkuar rrugë që ta relativizojnë atë.

Prandaj, shqetësim të veçantë ngjall ajo që po synohet të paraqitet para Komisionit të Venecias.

Kemi informacione se gjatë kësaj jave në Ministrinë e Drejtësisë po mbahen takime koordinuese ku marrin pjesë edhe Inspektorati dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve. Qëllimi, sipas këtyre informacioneve, është menaxhimi i pakënaqësive institucionale dhe krijimi i një qëndrimi të përbashkët në mbështetje të propozimit të Qeverisë.

Po ashtu, sipas informacioneve që kemi, synohet që përfaqësuesve të Komisionit të Venecias t’u paraqitet si përparim një propozim ku provimi i jurisprudencës do të mbahej pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht.

Dua të jem i qartë: kjo nuk përbën përparim. Është kthim prapa dhe degradim i një të drejte të fituar. Nëse paraqitet si avancim i të drejtave gjuhësore, një zgjidhje e tillë është tradhti ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Nuk mund të quhet përparim një masë që e kufizon ligjin në vend që ta zbatojë. Po ashtu, nuk mund të etiketohet si kompromis evropian propozimi që cenon një të drejtë të njohur me ligj, dhe as nuk mund t’i kërkohet legjitimitet ndërkombëtar një zgjidhjeje që bie në kundërshtim me rendin juridik të vendit.

Komisioni i Venecias nuk duhet të përdoret për të mbuluar shmangien e detyrimeve ligjore të institucioneve shtetërore. Përfaqësuesve të tij duhet t’u bëhen të njohura të gjitha rrethanat juridike, dispozitat përkatëse të ligjit dhe përfundimet e organit kompetent të inspektimit, jo një zgjidhje politike e paraqitur si përparim institucional.

Kjo çështje lidhet edhe me zhvillime të tjera shqetësuese. Në të njëjtën kohë me veprimet e ekzekutivit, në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohen procese që prekin drejtpërdrejt pozitën juridike të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Amendamenti V i Kushtetutës përcakton se ligjvënësi vendos me ligj mënyrën dhe fushëveprimin e përdorimit të gjuhës tjetër zyrtare, krahas maqedonishtes, në institucionet e pushtetit shtetëror. Këtë të drejtë kushtetuese e ka Kuvendi, i cili e ka ushtruar atë duke miratuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Çdo përpjekje për ta dobësuar këtë ligj, qoftë me masa ekzekutive, interpretime përzgjedhëse apo dispozita të reja ligjore që e kufizojnë zbatimin e tij, duhet të merret me shqetësim serioz. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një provim apo procedurë. Në diskutim janë siguria juridike, barazia e qytetarëve dhe respektimi i marrëveshjes politike e kushtetuese që qëndron në themel të bashkëjetesës dhe funksionimit të shtetit.

Debati publik për të drejtat gjuhësore duhet të mbështetet në tekstin e ligjit, jo në interpretime që ia ngushtojnë zbatimin. Pohimet e disa përfaqësuesve të VLEN-it se gjuha juridike e gjykatave është vetëm maqedonishtja nuk qëndrojnë përballë përcaktimeve të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Neni 9 parashikon përdorimin e shqipes krahas maqedonishtes edhe në këtë fushë. I ftoj, për këtë arsye, përfaqësuesit politikë që t’i shqyrtojnë me përgjegjësi dispozitat para se të prononcohen publikisht. Nëse nuk mund të ndihmojnë në avancimin e të drejtave gjuhësore, të paktën të mos përfshihen në procese që i cenojnë ose i relativizojnë ato. BDI-ja do të vijojë të veprojë me vendosmëri për mbrojtjen e tyre, përmes mjeteve politike dhe institucionale, në interes të barazisë, dinjitetit qytetar dhe respektimit të rendit kushtetues e juridik të vendit.

Zoti ministër Shasivari,

Ju ftoj të veproni me përgjegjësi politike, institucionale dhe kombëtare. Ndalni çdo përpjekje për tkurrjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve dhe hiqni dorë nga nismat që synojnë ta relativizojnë e degradojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Ju kërkoj të mos i ushqeni pritjet e opinionit publik me paraqitje çorientuese dhe të mos i prezantoni Komisionit të Venecias propozime që bien ndesh me ligjin në fuqi, duke i quajtur përparim të të drejtave gjuhësore.

Ministria e Drejtësisë duhet të marrë përsipër zbatimin e plotë të së drejtës ligjore, jo të kërkojë mënyra për ta kufizuar atë. Kjo nënkupton që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, siç kërkon ligji.

Kërkoj gjithashtu nga Qeveria të garantojë zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga të gjitha organet dhe institucionet që ushtrojnë kompetenca publike.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk varet nga vullneti i një ministri, qeverie apo shumice parlamentare. Ai është në fuqi dhe duhet respektuar.

Çdo zgjidhje në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës që bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve nuk do të krijojë bazë juridike të qëndrueshme; përkundrazi, do të shtojë pasigurinë juridike të qytetarëve.

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet duke negociuar zbatimin e ligjeve në varësi të interesave të pushtetit, por duke i zbatuar ato në mënyrë të qëndrueshme dhe pa përjashtime.

Nuk po kërkojmë privilegje, por zbatimin e ligjit. As nuk kërkojmë të drejta të reja: kërkesa jonë është që të respektohen të drejtat tashmë të garantuara dhe të fituara me sakrificë.

Të drejtat gjuhësore u përkasin qytetarëve, jo partive politike, dhe nuk mund të shndërrohen në objekt pazari nga asnjë qeveri. Ato janë të drejta të qytetarëve dhe detyrim i shtetit.

Për këto shqetësime, që lidhen me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe cenimin e të drejtave tona kolektive që burojnë nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit, po u drejtohemi publikisht edhe garantuesve ndërkombëtarë të marrëveshjes: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë e Prishtinë. Besojmë se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe i të drejtave që burojnë prej saj është përgjegjësi e përbashkët dhe garanci thelbësore për barazinë, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

Me respektin institucional që kërkon kjo përgjegjësi, por edhe me vendosmërinë e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve,

Ali Ahmeti

Kryetar i BDI-së


Quantcast
grandpashabet güncel girişBursa Escortgrandpashabet güncel girişjojobet girişgrandpashabet girişgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetdeneme bonusucasinofast güncel girişstarzbetonline notarystarzbethttps://centromedicoflorence.com/cookies-service/betkomextrabetpadişahbetgrandpashabetTürk İfşajojobet girişjojobetjojobetbahis siteleriGrandpashabet girişGrandpashabet girişjojobetsahabetjojobetjokerbetjojobetgrandpashabetjojobetjojobet girişgrandpashabet girişjojobetjojobet girişCasibomCasibomCasibom GirişCasibom Girişjojobet girişjojobetjojobetstarzbetstarzbetGrandpashabetjojobet